Nga Endri ÇINARI
Vllaznia arriti të reagonte shkëlqyeshëm pas humbjes me Egnatian në shifrat 0-2 në javën e 22-të, ku me fitoren 1-3 në transfertë ndaj Teutës riktheu totalisht qetësinë në skuadër. Shkodranët u shfaqën dominues në duelin e fundit ndaj durrsakëve. Ku arritën ta zgjidhnin ndeshjen shumë shpejt, duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren ndaj “djemëve të detit”.
Por përveç fitores dhe 3 pikëve, ajo që kënaq në kampin kuqeblu është vija e parë sulmuese e skuadrës. Në ndeshjen ndaj Teutës do ishin të gjithë futbollistët e sulmit që do gjenin golin. Duke nisur fillimisht me Malen, i cili pavarësisht se ndaj Teutës u aktivizua në mesfushë arriti të gjente golin. Duke shkuar në kuotën e 6 të tillëve këtë sezon, një rekord personal për prizrenasin.
Me shënimin e golave nuk ndalet as Balaj, me kapitenin që gjeti golin e 14-të sezonal në kampionat nëpërmjet një penalltie. Dhe “qershia mbi tortë” do ishte Dodaj, që me një “perlë” do shënonte golin e tretë të sfidës dhe të pestin sezonal. Një total prej 25 golash nga treshja Balaj-Mala-Dodaj këtë sezon që për herë të parë shënojnë të gjithë së bashku në një ndeshje. Fakt që “ngroh” shumë stafin e shkodranëve që shohin sulmuesit e tyre të shënojnë në vazhdimësi dhe udhëheqin skuadrën.(www.shkodrasport.com)