Nga Endri ÇINARI

Vllaznia arriti një fitore shumë të rëndësishme në javën e 16-të të Superioes. Shkodranët mposhtën ekipin e Dinamos me shifrat 3-1. 3 pikë shumë të rëndësishme për kuqeblutë, që tashmë i afrohen katërshes së parë të kampionatit. Por përveç pikëve, e rëndësishme ishte edhe zhbllokimi i disa lojtarëve.

Kështu golin mbrëmë ndaj kryeqytetasve e gjeti Çoba, që ishte rrjeta që barazoi shifrat në 1-1 pas avantazhit momental të bluve. Ky ishte goli i parë për mëngjërashin këtë sezon. Fakt shumë pozitiv ky, pasi tashmë e gjithë vija sulmuese e Vllaznisë e ka gjetur golin këtë sezon.

Po ashtu rrjetën e gjeti, por për të dytën herë këtë sezon edhe Ildi Gruda. Sulmuesi tjetër i krahut i shkodranëve realizoi golin e avantazhit për shifrat 2-1. Gol që përmbysi shifrat që para përfundimit të pjesës së parë. Kështu Vllaznia në ndeshjen ndaj Dinamos “fluturoi” nga krahët, që ishin përcaktues për suksesin.

Pa harruar patjetër edhe golin e Balajt, që ishte i 9-ti këtë sezon për shtatlartin. Tashmë shkodranët i presin edhe 2 ndeshja të tjera para përfundimit të vitit 2023. Ku do kërkohet maksimumi për ti bërë një mbyllje sa më pozitive këtij viti plot ulje dhe ngritje për kuqeblutë.