Ng Endri ÇINARI
Vllaznia mori një fitore bindëse në javën e 34-ët të Superiores. Ku shkodranët mposhtën në shifrat 3-0 Dinamon, falë golave të Qatos, Dodajt dhe Balajt. Në këtë mënyrë ekipi i Brdariç mori 3 pikë shumë të rëndësishme që e mbajnë në garën për të siguruar vendin e dytë. Por kjo fitore ndaj bluve theu edhe një “tabu” për kuqeblutë këtë sezon.
Kjo pasi ishte hera e parë gjatë këtij edicioni që Vllaznia arriti të merrte një fitore përballë Dinamos. Në katër përballjet e tjera të zhvulluara mes dy skuadrave, si në kampionat dhe kupë, Vllaznia nuk kishte fituar asnjëherë. Ku në kampionat numëroheshin dy fitore 2-1 dhe 2-3 të Dinamos përballë kuqebluve. E po ashtu një barazim 0-0 në kampionat dhe po ashtu shifra të bardha edhe në gjysmëfinalen e kupës.
Fatet e dy skuadrave do “kryqëzohen” minimalisht edhe njëherë këtë edicion. Ku në datën 24 do zhvillohet ndeshja e kthimit të gjysmëfinaleve të kupës. Duke mos përjashtuar edhe një përballje të mundshme mes dy skuadrave në “final 4”. Me këtë sukses ndaj Dinamos, Vllaznia tashmë këtë edicion i ka mposhtur minimalisht një herë gjithë kundërshtarët e elitës në Superiore.
Ku 9 herë kampionët e vendit vijojnë garën për vendet e larta të renditjes. E po ashtu janë në gjysmëfinalen e kupës. Në një sezon që po e mban skuadrën në garë për fitimin e të dy trofeve deri në epilogun e tij.