Fitorja 4-0 në ndeshjen e Kupës me Kastriotin në Krujë, pritet t’i shërbejë Vllaznisë për rritjen e moralit për ndeshjen e rradhës me Tiranën. Në pamje të parë, duke u ndaluar tek rezultati i arritur në përballjen me krutanët, të krijohet bindja se kuqeblutë duhet të kenë dominuar në fushë. Realisht kështu ka ndodhur por pa harruar se kundërshtari përballë ka qenë shumë i dobët. Kësisoj ky takim nuk mund të merret plotësisht si barometër për kthesën e Vllaznisë.
Megjithatë kjo fitore dhe sigurimi thuajse i plotë i kualifikimit për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, do të shërbejnë edhe për të rritur moralin e futbollistëve shkodranë. Njëkohësisht edhe të stafit teknik i cili ndodhet para një sfide vendimtare që mund të vendosë shumë për të ardhmen e tyre në krye të skuadrës. Siç dihet, drejtuesit e klubit i kishin dhënë si mundësi për të ndryshuar situatën, dy ndeshjet e kësaj jave. Por nëse e para, ajo me Kastriotin, u kalua me sukses, tashmë vendimtare do jetë sfida e së shtunës me Tiranën. Sa i takon kalendarit, kjo ndeshje ishte planifikuar të luhej pasditen e së shtunës në orën 14.00 në stadiumin “Qemal Stafa” por ajo është spostuar në orën 17.00. Pavarësisht kësaj, objektivi i kuqebluve nuk duhet të ndryshojë dhe ata duhet të kërkojnë medoemos marrjen e të paktën një barazimi. Në rradhë të parë për veten dhe Vllazninë dhe në rradhë të dytë edhe për trajnerin Raineri.
© shkodrasport.com