Armir Grima, drejtori sportiv i Vllaznisë, është shprehur i kënaqur me startin që skuadra ka bërë në këtë pjesë të dytë të sezonit. Për Grimën kjo fitore ka ardhur në momentin më të përshtatshëm, pikërisht kur u ndryshua edhe stafi i klubit. “Ka qenë një nga fitoret më të bukura të arritura në këtë kampionat. Kemi fituar përballë skuadrës kampione dhe udhëheqjes së kampionatit dhe, për më tepër, ka qenë një fitore që ka ardhur pas një loje shumë të bukur, ndërsa ishim dominues në të gjithë aspektet. Skuadra ka treguar një tjetër fytyrë në këtë takim, ndërsa këta djem kanë treguar se kishin shumë për të dhënë. Ndryshimi ka qenë i dukshëm nga ajo çfarë kanë shfaqur këta lojtarë gjatë pjesës së parë të sezonit.

Nuk mungoi grinta dhe dëshira për të arritur te fitorja. Ka qenë një nga fitoret më mbresëlënëse për mua, pasi u arrit kundrejt një skuadre të fortë dhe, kur fitohet ndaj Skënderbeut, atëherë rritet edhe më shumë besimi në ekip. Unë kam mendimin se kjo u ka munguar deri tani lojtarëve”, – ka thënë Grima. Vazhdimësia – Fitorja me Skënderbeun ka rritur ndjeshëm besimin tek ekipi, por edhe tek ambienti rreth tij. Megjithatë, për drejtorin Grima skuadra tani më shumë se kurrë duhet që të ruhet nga euforia. “Fitorja duhet të na vlejë për mirë dhe jo që ‘të dehemi’ prej saj, pasi kjo mund të sjellë edhe njëherë një situatë të pakëndshme në skuadrën tonë. Si pjesë e ekipit të Vllaznisë e shikoj me nota pozitive të ardhmen e kësaj skuadre, porse të gjithë duhet të flasim takim pas takimi”, – ka deklaruar Grima.
Admir URUÇI