Historia e një nënë zemërthyer erdhi mbrëmjen e 3 dhjetorit një vit më parë, në emisonin ’’Pa gjurmë’’, në kërkim të gjysmës tjetër. Dy djemtë binjakë të Shaze Mucodemit kanë 42 vite që janë të destinuar të jenë larg njëri-tjetrit, që prej kur u lindën një ditë pas Krishtlindjeve më 08/12/1978 në spitalin e Tepelenës.
Kur duhet të festonin sëbashku, me të qarat e para të foshnjave që mbushën zemrat e ciftit Mucodemi, Shazes dhe Nuriut, dy djemtë binjakë kanë dekada të ndarë. Mamia Fatmire ia sillte shpesh fëmijët nënë Shazes, për t’i ushqyer me gji, duke u kujdesur për ta, pasi nëna kishte pasur një lindje të vështirë.
Atë natë Shazes ia sollën si gjithmonë të dy fëmijët, Gentjanin dhe Ilirianin. Pasi iu dha gji, Shazja pohon se dikush ia rrëmbeu fëmijët nga duart. Dhe ishte fati i Ilirjanit. Pas këtij episodi Shazes i bien te fikët. Pak ditë nga ngjarja një person vjen me një një letër në dorë, futur në një zarf, ku shkruhej së foshnja ka vdekur dhe se nuk dihet ku mund të jetë varrosur. Një fakt tjetër e kthen historinë në kohë, për dyshimet që kanë sot prindërit e Ilirianit. Kur djemtë lindën, në një dhomë me Shazen ishte edhe një nënë tjetër me emrin Manushaqe.
Ajo ishte nënë e 5 vajzave, ndërsa lindi dhe një vajzë tjetër, të cilën kishte frikë ta mbante për shkak se nuk i donte i shoqi. Sot, Shazja dyshon se djalin ia rrëmbyen për Manushaqen nga Tepelena, që ajo të shkonte në shtëpi më një djalë pas 5 vajzave. Ky dyshim vjen nisur edhe nga fakti se mamia me emrin Fatmire që u kujdes që herët për binjakët i ka pohuar Shazes se Ilirjani është gjallë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja, që Gentjani e ndjen që gjysma e tij është diku. E ndjen si binjaku-binjakun. E ka ndjerë gjithë jetën e tij ndjekur nga fati i keq, që u rriten pa njëri-tjetrin.
Shaze dhe Nuri Mucodemi kanë qenë këtë të mërkurë në studion e “Pa Gjurmë”, ku kanë rrëfyer më nga afër kalvarin e tyre të vuajtjeve.
“Na erdhi një letër dore ku thuhej që bebja vdiq. Mos hajdeni ta kërkoni sepse janë zënë rrugët. Ne u bindëm tek kjo letër që na i kishin rrëmbyer fëmijën sepse ne nuk kishim vajzë, por djalë. Unë them se letra ka ardhur drejt nesh për të humbur gjurmët e djalit. Ata mund ta kenë marrë dhe ta kenë cuar gjetkë”, u shpreh Nuri Mucodemi.
Teksa u pyetën nëse kanë menduar ndonjëherë se i biri mund të ketë vdekur, ato u shprehën se kanë pasur gjithnjë një shpresë të palëkundur se Ilirjani jeton.
Pas një sërë kërkimesh të gjata e të vazhdueshme, “Pa Gjurmë” i ka bërë të ditur ciftit Mucodemi se djali i tyre i humbur është dërguar fill pas spitalit ku ka lindur më 1978-ën në shtëpinë e fëmijës në Korcë, dhe se më pas është birësuar nga cifti Haxhaja nga zona e Shkodrës. Sot, Iliriani është fizioterapist i klubit Vllaznia dhe i martuar e me fëmijë.
“Pa Gjurmë” ka bërë gjithashtu publike bisedën telefonike të zhvilluar me binjakun e kërkuar deri më tani, Ilirjanin. Ai është shprehur për moderatoren Odeta Dume se për momentin nuk është gati t’i takojë prindërit e tij biologjikë pasi nuk është i përgatitur nga ana psikologjike për këtë përballje. E megjithatë, Ilirjani ia dha aprovimin moderatores së emisionit që t’ja japë numrin e tij të telefonit.
“Ndoshta dëshira ka qenë, por për momentin nuk jam i gatshëm për t’i takuar. Ndoshta mund të reflektoj edhe më vonë, por nuk jam psikologjikisht i përgatitur. Prindërit e mi kanë bërë ndërhyrje, kanë probleme shëndetësore, edhe unë kam qenë shumë keq. Përpara pesë viteve më ka ardhur një grua me pretendimin se është nëna ime, ndoshta ajo ishte në kërkim të fëmijës së saj, por ajo nuk u shfaq më kurrë, pavarëissht se e kishim lënë për t’u takuar. Aty u zhgënjeva. Ndoshta në një të ardhme mund të realizohet ndonjë takim, por për momentin, primare kam prindërit e mi. Dëshira mund të jetë për t’u takuar por pas 40 vjetëve është e ftohtë. E di cfarë do të thotë falje, por për të shkatërruar një familje është mjaft e vështirë (…) Mund t’ia jepni numrin tim, nuk është problem“, është shprehur Iliriani.
Krahas ciftit Mucodemi, i pranishëm përmes një lidhjeje telefonike ka qenë edhe vëllai i Ilirianit, Gentjani, i cili pavarësisht asaj se cfarë ka thënë Iliriani është shprehur se për të është sot dita më e lumtur e jetës së tij.