Nga Endri ÇINARI
Fitorja e Vllaznisë ndaj Skënderbeut në shifrat 2-0 ishte rezultati i tretë rradhazi pozitiv për shkodranët. Në këtë mënyrë kuqeblutë i kanë bërë një nisje shumë pozitive fazës së dytë. Duke grumbulluar 7 pikë nga 9 të mundshme. Këtu së bashku me barazimin 2-2 kundër Partizanit dhe fitoren 3-4 ndaj Tiranës.
Një ecuri që mbush me optimizëm në kampin shkodran, ku patjetër do kërkohet vazhdimësia e kësaj forme edhe në javët e ardhshme. Një fakt tjetër që kënaq është edhe se skuadra nuk pësoi gol. Një “defekt” që 9 herë kampionët e vendit e kanë hasur shumë gjatë këtij sezoni, pavarësishr rezultateve pozitive që momentalisht e mbajnë në krye skuadrën.
Ndeshja ndaj Skënderbeut ishte e katërta këtë sezon ku porta e Kristi Qarrit qëndronte e paprekur. Përpara këtij 90 minutëshi, shkodranët nuk kishin pësuar gol në fitoret 0-1 ndaj Partizanit dhe 2-0 ndaj Bylis. Po ashtu një ndeshje ku skuadra nuk ka pësuar gol ka qenë barazimi 0-0 ndaj Elbasanit.
Pra, nga 12 ndeshje të zhvilluara deri më tani, Vllaznia nuk ka pësuar gol në 4 prej tyre. Një statistikë që patjetër duhet të përmirësohet akoma më tepër në javët e ardhshme. Duke parë edhe objektivat madhorë që ka skuadra këtë sezon.