Armando Broja luajti dje ndeshjen e parë zyrtare, pas një dëmtimi të gjatë në tendinë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u aktivizua në pjesën e parë me Everton U-21 në transfertën e Watford U-21.
Broja tregoi për ndjenjën e bukur të rikthimit, ndërsa shtoi se pret të kapë formën për t’u aktivizuar me ekipin e parë.
“Është bukur të kthehesh prapë në fushë. Ka kaluar pak që nga dëmtimi im, prandaj është një ndjenjë e bukur të kthehesh, të luash, ta ndjesh lojën, të kthehesh në fushën e blertë dhe të luash me një buzëqeshje në fytyrë.
Me të vërtetë e shijova dhe mezi po pres të vazhdoj dhe me shpresë për t’u kthyer me ekipin e parë”, u shpreh Broja në videon e postuar nga Everton.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është i huazuar atje deri në fund të sezonit nga klubi i Çelsit që gëzon të drejtën e kartonit.