Manuel Lokateli nuk ka arritur ta bëjë realitet ëndrrën e tij të madhe. Mesfushori italian erdhi te Juventusi për të luajtur përkrah me Kristiano Ronaldon duke e cilësuar një ëndërr. Por portugezi bëri menjëherë valixhet dhe u largua nga bardhezinjtë.
Ndaj fraza e Lokatelit “dikur e shihja në YouTube, tani luaj përkrah tij”, është kthyer në një nga memet më të shpërndara në internet gjatë ditës së djeshme, me shumëkënd që tallej me lojtarin. Sot, futbollisti e ka pranuar me shumë humor këtë “dështim” të karrierës së tij.
Ai ka postuar një foto, të vetmen ndoshta ku shfaqej përkrah Ronaldos dhe ka bërë një koment që është shpërndarë po me aq shpejtësi në rrjetet sociale. “Për pak, në fakt për shumë pak, por këtë imazh do ta mbaj gjithmonë me vete. Paç fat kampion”, ishte mesazhi i tij për Ronaldon.