E mërkura e fundit e muajit shkurt do të përcaktojë katër skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Nëse në tre takime thuajse është përcaktuar skuadra që do kualifikohet, dilema më e madhe është ajo e Vlorës. Kush do jetë skuadra gjysmëfinaliste, Vllaznia apo Flamurtari? Këtë askush nuk mund ta thotë për momentin. Rezultati 0-0 I arritur në ndeshjen e parë, në pamje të parë favorizon vlonjatët që do luajnë këtë herë në fushën e tyre megjithatë edhe shkodranët nuk kanë ndër mend të heqin dorë kollaj nga këto pretendime. Një e vërtetë e madhe është që të dy skuadrat nuk po kalojnë momente të mira në kampionat e kjo natyrisht që I ka vënë para një presioni futbollistët e të dy skuadrave dhe stafet drejtuese të tyre. Megjithatë duket se Vllaznia është më e qetë në këtë drejtim sepse Flamurtari nesër do jetë më në presion për t’u kualifikuar me çdo kusht për në gjysmëfinale përpara tifozëve të vet. Kjo gjë duhet shfrytëzuar në maksimum nga kuqeblutë. Skuadra ka luajtur mirë në fakt në ndeshjet e fundit. Mjafton t’I referohemi ndeshjes së para dy javëve në Shkodër ku Vllaznia ka humbur së paku 15 raste të pastra shënimi në portën vlonjate por nuk arriti dot të shënonte një gol. Edhe atëherë kur e realizoi me anë të Bushiç, ai u anullua me pa të drejtë, nga gjyqtarët. Prandaj, ajo çfarë nuk është realizuar dy javë më parë, duhet bërë nesër. Një kualifikim në kupë për shkodranët do ishte natyrshëm edhe një nxitje për rezultate të mira edhe në kampionat. Vllaznia duket e plotë në pragndeshjen me Flamurtarin dhe tashmë pritet vetëm kualifikimi.
© shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Flamurtari apo Vllaznia, dilema e vetme e gjysmëfinaleve të Kupës