Situata tek skuadra e Flamurtarit nuk është aspak e mirë. Ngjitja në Superligë ka rezultuar më e vështirë nga sa ishte menduar dhe jo më kot, skuadra ndodhet aktualisht në vendin e parafundit në renditje. Megjithatë pasditen e sotme, kuqezinjtë i janë gëzuar një barazimi. Dhe golin që do t’i jepte pikën e vetme Flamurtarit, do ta shënonte pikërisht një shkodran.

Bëhet fjalë për sulmuesin Jurgen Gjini. Në fakt, e para kishte kaluar në avantazh Drita e Gjilanit dhe interesant është se golin për të e shënoi një tjetër ish- futbollist i Vllaznisë, Kastriot Rexha. Kur u duk se gjilanasit po shkonin drejt fitores, do të ishte goli i Gjinit në ’73 që do të barazonte shifrat në 1-1 dhe ky rezultat nuk do të ndryshonte deri në fund. Flamurtari me këtë pikë është ngjitur në kuotën e 8 pikëve duke mbajtur vendin e parafundit të renditjes në Vala Superligë të Kosovës. Kjo skuadër po has shumë vështirësi në kampionat dhe jo më kot, tifozët u kanë kërkuar drejtuesve të klubit rikthimin në këtë detyrë të trajnerit shkodran Samuel Nikaj, i cili kishte meritën absolute të rikthimit të kësaj skuadre në Superligë.
© shkodrasport.com