Flamurtari, në bisedime me Jurgen Goxhajn. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit i kanë bërë një ofertë konkrete 30-vjeçarit. Mbrojtësi ka një karrierë të pasur dhe CV-ja e tij duket se ka joshur së tepërmi stafin teknik.

E vetmja pengesë aktuale është Bylisi. Lojtari është në kontratë me ballshiotët, por kjo gjë duket nuk i tremb vlonjatët. Ata janë gati që të hyjnë në diskutime edhe me drejtues të Bylisit, me qëllim që të kenë mundësi të përfitojnë shërbimet e një mbrojtësi me eksperiencë.

I lindur në Durrës më 29 dhjetor 1992, Goxha ka luajtur për shumë klube të njohura. Në nisje të karrierës së tij, mbrojtësi ka luajtur për Sukthin, Ilirinë, Erzenin, Besëlidhjen dhe Shënkollin. Goxha më vonë është transferuar te Tirana dhe Bylisi.

Eksperienca ka pasur edhe jashtë vendit. Ka luajtur në Azerbajxhan për Qabala dhe Sabail. Me t’u kthyer prej andej ka nënshkruar kontratë me Egnatian dhe më pas me Teutën. Sërish është rikthyer tek Egnatia, ndërkohë që këtë sezon është pjesë e Bylisit.

Burime konfidenciale thonë për gazetën se Jurgen Goxha është pjesë e listës së dëshirave të stafit teknik, ndërsa thuhet se klubi ka nisur bisedimet edhe me vetë lojtarin. Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të realizohet ky transferim.

Shanset janë të mëdha që të ndodhin, pasi edhe këtë sezon Sinan Idrizi nuk ka ndërmend që të kursehet me afrimet.

MERKATO – Flamurtari ka projektuar që të afrojë të paktën katër lojtarë në këtë merkato dimërore. Gjithçka u hap me Idriz Bathën. Drejtuesit premtojnë që dy nga goditjet e klubit do të jenë të nivelit të Bathës.

Gazeta ka zbuluar tashmë se bisedimet kanë nisur edhe me Hysen Memollën. Mbrojtësi aktualisht është pjesë e Egnatias, ndërsa deri pak kohë më parë ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare.

Burime nga klubi bëjnë me dije se bisedimet po avancojnë, madje i kanë thënë mbrojtësit se janë të gatshëm për t’i plotësuar çdo kërkesë për shkak se në lojë për Memollën është edhe Vllaznia.

Në Vlorë thuhet se po punohet me lojtarin, me qëllim që vlonjatët të fitojnë duelin me shkodranët. Në optikën e vlonjatëve janë edhe disa lojtarë të tjerë.

Klubi është fokusuar në goditje në thuajse të gjitha repartet. Përforcime skuadra pritet të ketë në mbrojtje dhe mesfushë, por nuk përjashtohet as ndonjë surprizë në mbrojtje.