Ekipi i Flamurtarit është shpallur fitues i Ligës Unike në basketboll për femra për sezonin 2024-2025. Në finalen e luajtur në qytetin e Vlorës, skuadra vendase mundi 72-62 rivalet e Peja 03, në një ndeshje mjaft të bukur dhe emocionuese deri në fund.

Ndeshja u komandua shumicën e kohës nga vajzat e Flamurtarit, që udhëheq 20-13 në mbyllje të periodës së parë. Kosovaret nuk dorëzohen dhe gjysma e parë e ndeshjes përfundon 40-33 për vlonjatet.

Në cerekun e tretë Peja arrin të ngushtojë shifrat, madje edhe të dalë një moment në epërsi, por Flamurtari reagon dhe udhëheq 56-55. Në 10-minutëshin e fundit loja bëhet interesante, por Flamurtari krijon një epërsi të lehtë që e ruan deri në fund.

Pjesë e këtij suksesi është edhe basketbollistja shkodrane Bernada Rreshpja e cila siç dihet, ditët e fundit është bashkuar me ekipin e Flamurtarit, e huazuar nga Vllaznia deri në fund të këtij sezoni. Dhe Rreshpja ka treguar vlerat e saj menjëherë duke dhënë kontributin e saj në fitoren e këtij trofeu.

Vetë ajo një ditë më parë në një prononcim të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” u shpreh se po kalon momente të papërshkrueshme dhe kuptohet që pas fitores edhe të këtij trofeu, ajo ndjehet më e lumtur se kurrë.(www.shkodrasport.com)