© shkodrasport.com
FAQJA E PARE SHKODRANET NEPER BOTE Flamurtari i shkodranëve s’ndalet as në Gjakovë. Ndërpritet ndeshja
Flamurtari i shkodranëve s’ndalet as në Gjakovë. Ndërpritet ndeshja
Pasditen e sotme në Gjakovë është luajtur ndeshja më e rëndësishme e kampionatit të Ligës së Parë të Kosovës, ajo në mes dy skuadrave kryesuese, Vllaznimit vendas dhe Flamurtarit të Prishtinës. Kjo e fundit siç dihet, drejtohet nga trajneri shkodran Samuel Nikaj dhe në përbërje të tij janë edhe tre futbollistët shkodranë Hallunaj, Hotaj e Gjini. Ndeshja ka qenë shumë e rëndësishme sepse mund të vendoste shumë për fatin e vendit të parë. Por takimi nuk ka përfunduar. Në minutat shtesë të ndeshjes ka patur një ndërhyrje disi të rëndë të njërit prej lojtarëve prishtinas ndaj një kundërshtari dhe ka mjaftuar kjo që tifozët vendas të hyjnë në fushë duke ndërprerë ndeshjen. Nga sa mësohet, më pas ka patur edhe përplasje në mes dy tifozërive dhe prandaj arbitrat nuk e kanë vazhduar më lojën. Në ato momente kur është ndërprerë ndeshja, Flamurtari ka qenë duke udhëhequr me rezultatin 1-0. Por tashmë me siguri që Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Kosovare të Futbollit do t’i japë fitoren 3-0 në tavolinë këtij ekipi dhe me këtë trepikësh, ai do të shkëputej plot 6 pikë nga Vllaznimi dhe natyrisht që titulli kampion për të, është tashmë gjithnjë e më pranë. Po ashtu, tashmë duke pritur vendimin e Disiplinës, kjo do të thotë se rekordi i portierit shkodran Ervin Hallunaj thellohet gjithnjë e më shumë teksa do t’i bëhen plot 12 ndeshje pa pësuar gol!