“Do të analizojmë rastet dhe do t’i publikojmë në faqen tonë. Nëse kemi gabuar, do t’i kërkoj falje gjyqtarit Hamiti publikisht”. Këto janë fjalët e trajnerit Ilir Daja pas sfidës së sotme të vlonjatëve me Teutën që u mbyll mes polemikash e tensionit. Me sa duket, kjo falje do të vonojë, pasi klubi vlonjat vazhdon ta cilësojë atë një “armik” të Flamurtarit.

Kjo shihet qartë edhe nga fakti se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, vlonjatët në postimin e tyre për rezultatin final të sfidës e kanë cilësuar atë “man of the match” (njeriun e ndeshjes) për duelin në fjalë.

Pak më vonë, klubi vlonjat ka publikuar edhe një foto, nëpërmjet të cilët argumentohet se Danilo Alvesh ka qenë në pozicion të rregullt te goli i avantazhit.

Gjatë dhe pas ndeshjes kishte debat rreth pozicionit të sulmuesit, por vlonjatët nëpërmjet fotos pretendojnë se braziliani ka qenë më i tërhequr se Bushiç në momentin kur ky i fundit nisi pasimin drejt shokut të skuadrës që e shtyu topin në rrjetë.

“Goli i komentuar si pozicion jashtë loje. Fotografia që vërteton rregullsinë e golit të shënuar nga Danilo Alvesh”, shkruhej në komentin që shoqëronte foton. /vipsport/