Flamurtari do të jetë me sytë nga katërshja veriore. E mërkura pritet që të jetë ditë vendimtare për Flamurtarin që po “lëngon” në fundin e tabelës së klasifikimit.
Përballë do të jetë Vllaznia e Shkodrës, e cila vjen në Vlorë. Nga ana tjetër, Flamurtari ka rekordin më negativ në historinë e vet, ku në 8 ndeshje ka grumbulluar vetëm dy pikë. 6 humbje, 2 barazime dhe asnjë fitore është bilanci më i keq, ndërsa jemi në mbylljen e fazës së parë. Humbja me Teutën e ka bërë edhe më të nderë situatën në kampin vlonjat. Por, gjithsesi ka ende shpresë dhe dritë në fund të tunelit.
KATËR ISH-ËT – Shpresa e vetme shikohet te katërshja shkodrane, Xhevahir Sukaj, Ansi Nika, Olti Gocaj dhe Denis Pjeshka. Këta katër futbollistë do të jenë përballë të shkuarës së tyre, por disa luajnë edhe për “hakmarrje”’, veçanërisht Nika e Gocaj, të cilëve drejtuesit e Vllaznisë nuk u bënë asnjë ofertë. Në këto kushte, Flamurtari kërkon të përfitojë nga motivimi ekstra i shkodranëve në këtë takim.
Këta të fundit do të kenë një barrë të madhe për ta zgjidhur ndeshjen, por edhe për t’i dhënë fitoren e parë Flamurtarit. Sfida e së mërkurës është një ndeshje prove për ekipin e drejtuar nga Sadedini dhe shikohet si finale. Vllaznia vjen në vendin e 6-të dhe me pozita më të mira se vlonjatët që janë zhytur në fundin e klasifikimit.
ANALIZA – Ndeshja me Vllazninë do të përcaktojë gjithçka sa i përket të ardhmes. Një humbje e radhës në këtë takim do të ishte fatale. Në këto kushte, trajneri Sadedini dhe futbollistët janë në presion të rezultateve, pasi një tjetër negativ do t’i vështirësonte edhe më shumë gjërat. Burime pranë klubit vlonjat bëjnë me dije për “Panorama Sport” se pas ndeshjes me Vllazninë që është edhe takimi i fundit i fazës së parë, administratori Sinan Idrizi do të mbledhë skuadrën ku ka parashikuar një analizë deri në detaje të situatës.
Një zyrtar i lartë i Flamurtarit i tha dje gazetës se Idrizi pritet që si pyetje klasike drejtuar ekipit në këtë analizë do të ketë se nëse ata mbajnë mend ndonjë vit që ekipi të ketë qenë në këtë situatë tejet negative, vetëm me dy pikë në tetë ndeshje. Pas kësaj pyetjeje, do të startojë edhe analiza se çfarë ka bërë deri më tani ky Flamurtar, por edhe shkaqet se përse është në këtë gjendje.
NDËSHKIMET – Idrizi ka vendosur që të marrë në “intervistë” të parin trajnerin Dritan Sadedini, por një e nga një edhe lojtarët. Në fund të analizës do të ketë edhe ndëshkime. Kreu i klubit ka vendosur që t’u japë dorën e lamtumirës disave që shikohen se kanë çaluar gjatë kësaj kohe, por se cilët janë, do të merren vesh në fund të kësaj jave. Idrizi mund të ndryshojë mendjen për ta shtyrë analizën që do të jetë një operacion kirurgjikal i thellë, vetëm nëse të mërkurën ekipi fiton, për të pritur qetësisht në fundjavë Skënderbeun e Korçës në Vlorë.
PËRGATITJET – Flamurtari nisi dje përgatitjet për ndeshjen me Vllazninë që do të luhet të mërkurën në Vlorë. Pas pushimit të së shtunës, vlonjatët filluan dje përgatitjet në orën 16:00. Lojtarët janë vendosur të gjithë nën urdhrat e trajnerit Dritan Sadedini. Nuk ka pasur mungesa, ndërsa në stërvitje ishte edhe greku Sarris që pësoi një kontraktim në ndeshjen me Teutën.