Vllaznia do të përballet ndaj Laçit, ditën e martë në stadiumin “Air Albania” për finalen e Kupës së Shqipërisë. Për skuadrën shkodrane, por jo vetëm, është një ndeshje që pritet me interes të madh.
Kështu, edhe gazetari sportiv në RTV Ora, Altin Sulçe, në një intervistë për “Shkodra Sport”, shprehet se e shikon si një ndeshje të vështirë për të dy ekipet, duke qenë se nëse Vllaznia nuk do arrijë të futet në Kupat e Europës, do të ishte katastrofale për ekipin.
Sulçe u shpreh se kjo do të jetë një ndeshje që do të prodhojë shumë emocione, ndërsa theksoi se kjo finale bëhet më e bukur, duke qenë se bëhet fjalë për “derbin e veriut”, Vllaznia-Laçi. Për më tepër, lexoni intervistën e tij të mëposhtme për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.
“E para njëherë faleminderit për intervistën. E dyta, unë mundohem t’i rri pranë me pasqyrimin e lajmeve gjitha ekipeve të futbollit shqiptar, jo vetëm Vllaznisë, por të gjitha ekipeve pa përjashtim. Pa bërë asnjë lloj ndarjeje midis ekipeve të Tiranës, të Vllaznisë, Laçit, ku di unë dhe të gjitha me rradhë, deri në Gjirokastër, Berat dhe në Korçë.
Atëherë, unë e shikoj ndeshjen Vllaznia-Laçi si një ndeshje finale. Vetë fjala finale tregon që këto janë dy skuadrat më të mira të kompeticionit, që kanë arritur në finalen e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri.
Eshtë një ndeshje e vështirë për të dy ekipet, por natyrisht kur është e vështirë, prodhon edhe emocion dhe ky emocion na bën që ne ta ndjekim me interes të madh, sepse luajnë dy skuadra që vitet e fundit janë shquar për futbollin e tyre. Natyrisht, bëhet akoma më e bukur, që finalja vjen në një ndeshje si derbi i veriut.
Unë do bëj një analizë psikologjike më shumë të të dy ekipeve, sepse futbolli është edhe relaksim. Unë mendoj që Laçi luan futboll më lirshëm, sepse ka siguruar Kupat e Europës. Eshtë renditur në vendin e dytë në klasifikim. Gjatë kampionatit, ka treguar që është ekip më i mirë, sepse renditja dhe tabela nuk gënjen. Ndërkohë, nga ana tjetër, Vllaznia është një ekip që ka pasur dritë-hije këtë sezon.
Nuk ka qenë ekipi i vitit të kaluar. Një ekip që herë na ka kënaqur me lojën e tyre. Herë nga ana tjetër, nuk e kemi besuar që është Vllaznia. Besoj që vetë situata në klub, e tregon këtë me ndërrimin e tre trajnerëve, Brdariç, Plori dhe Josa. Gjithsesi, unë them që Vllaznia shkon në këtë ndeshje e tensionuar, sepse e kërkon medoemos fitoren, që është e vetmja rrugë që ta çojë në Kupat e Europës.
Ndeshjet fitohen nga të gjithë bashkë, që nga portieri deri tek magazineri. Natyrisht, edhe të gjithë elementët përbërës të ekipt. Natyrisht, Josa është një trajner me eksperiencë dhe e ka treguar gjatë gjithë viteve, që ka bërë mirë në ekipe të ndryshme.
Megjithatë, unë nuk e di sa do të ketë kohën në dispozicion për të vendosur në zbatim gjithë idetë e tij që ka për futbollin, sepse nga tani dhe kur ka shkuar Josa te Vllaznia, koha është shumë e shkurtër. Besoj këto ndeshje nuk luhen. Këto ndeshje fitohen, sepse janë 90-minuta. Ekipi duhet të japë gjithçka, që të arrijnë tek maksimumi.
Natyrisht, Laçi po përjeton sezonin më të mirë në histori, sepse ka shkuar në vend të dytë. Eshtë renditur në vendin e dytë si asnjëherë më parë. Ekipi ka stabilitet me Kupat e Europës. Ndërkohë, Vllaznia është sezon i dytë, por nga sezoni i parë në të dytin, ka një ndryshim. Kjo tregon që gjërat në klub, nuk kanë shkuar aq mirë, si në vitin e parë.
Absolutisht, tifozëria e Vllaznisë është e veçantë. Do të thoja shumë e veçantë. Unë e kam provuar në reagimet që kanë ata në rrjetet sociale, në pjesëmarrjen e tyre që kanë mbajtur në emisione.
Shpesh herë kur kam shkuar në Shkodër, e kam ndier veten të privilegjuar të rrethohesh nga këta njerëz, që e duan kaq shumë futbollin dhe ky është luks për çdo ekip. Besoj që ndonjë herë futbollistët e Vllaznisë harrojnë që e kanë këtë luks. Ata kanë tifozë të jashtëzakonshëm, të cilët duhet t’i vlerësojnë akoma më shumë.
Kam një mesazh për dy tifozëritë e Vllaznisë dhe të Laçit. Poashtu, edhe për gjithë tifozët e futbollit shqiptar. Të shikojmë sa më shumë futboll vendas, sepse dita-ditës po rritet produkti. Fundja, ne jemi shqiptarë dhe duhet të mbështesim këtë projekt vendas. Mos të harrojmë një gjë, që nuk duhet ta shikojmë futbollin si luftë, duhet ta shikojmë si festë.
Duhet ta shikojmë si mënyrë komunikimi mes njerëzve, sepse kënaqësia e futbollit është t’i bashkojë njerëzit, t’i afrojë ata, t’i flasim njëri-tjetrit dhe në fund të 90-minutave, është vetëm një lojë. Asgjë më shumë”,-mbylli prononcimin e tij, gazetari sportiv, Altin Sulçe.
Maringlen ZHIVANI