Emocionet e pragndeshjes finale te Kupes se Shqiperise ne mes Vllaznise dhe Laçit shtohen gjithnje e me shume dhe ne padyshim qe do te mundohem t’i sjellim gjithnje e me prane jush ato duke intervistuar shume protagoniste dhe jo vetem.
Gazeta “Shkodra Sport” perveç rubrikes “Flasin tifozet”, ka menduar te hape edhe nje rubrike te re, ate “Flasin gazetaret”. Duke qene njerez te medias dhe me prane sportit, emra te njohur te kesaj fushe do te japin ne keto tre dite mendimet e tyre ne lidhje me kete takim shume te rendesishem.
Po e vijojme kete rubrike me gazetarin e njohur te “Supersport” Gjergj Stefa i cili ka pranuar me kenaqesi te intervistohet nga “Shkodra Sport”, interviste qe mund ta lexoni me poshte:
– Stefa, të martën finalja e Kupës Vllaznia- Laçi. Si e shihni këtë ndeshje në këndvështrimin tuaj si gazetar?
Megjithëse interesi për futbollin shqiptar në 30 vitet e fundit ka patur ulje dhe ngritje, për arsye objektive dhe subjektive, finalja e Kupës së Shqipërisë është një event që i ka rezistuar kohës dhe gjithnjë ka patur interesim të lartë. Duke e parë në këtë këndvështrim, mendoj që Vllaznia- Laçi do të jetë një ndeshje e bukur për t’u luajtur dhe për t’u parë.
Ajo çka unë do të doja, por me siguri që nuk varet nga unë dhe prandaj organizatorët e kanë menduar më mirë këtë gjë, që kjo finale të luhej në Kukës, në stadiumin e ri të tij. Shkodra dhe Laçi janë qytete me një distancë deri diku të afërt me Kukësin, stadiumi është më i vogël dhe atmosfera do të ishte më e ndezur dhe është një impiant futbolli që i plotëson të gjitha kushtet për të zhvilluar një finale të tillë duke pasë parasysh edhe dy tribunat që ka pas portave. Pavarësisht kësaj çfarë thashë unë, e sigurtë është që në “Air Albania” spektakli është i garantuar.
– A besoni te fitorja e Kupës për Vllazninë?
Nuk kam asnjë arsye që të mos besoj se Vllaznia mund ta fitojë këtë trofe. Shanset teorike për mua janë 50 me 50. Vllaznia vjen nga një moment jo i mirë në kampionat sepse gjysma e fazës së tretë dhe faza e katërt nga pikëpamja e rezultateve kanë qenë të dobëta dhe për këtë arsye u rendit në vendin e pestë. Ndërkohë Laçi vjen pas një momenti shumë të mirë në kampionat me shumë stabilitet në lojën e tij. Por finalet duke qenë finale zhvishen nga ecuria e javëve të fundit dhe në përgjithësi nuk kanë favoritë.
-Cila duhet të jetë pika më e forte e Vllaznisë në këtë ndeshje?
Vllaznia është një skuadër që ka një mënyrë loje të sajën. Ajo është një ndër pak skuadrat që e ka trashëguar në vite mënyrën e saj të lojës dhe unë kam frikë se nëse ajo zgjedh të luajë me një mënyrë tjetër ndryshe nga sa ajo ka luajtur më parë, edhe mund të dështojë.
Vllaznia në këtë ndeshje duhet të gjejë shpirtin e humbur të sezonit të kaluar, finales së sezonit të shkuar që e fitoi, apo të paktën të jetë e njëjta Vllazni si ajo e ndeshjes ndaj Tiranës në fazën e parë në “Air Albania” që përfundoi 0-0. Nëse luan me ritmin, agresivitetin, dëshirën dhe pasionin e asaj dite, patjetër që do të jetë një armë e saj shumë e fortë.
– A do ketë rol tifozëria e Vllaznisë në rezultatin e kësaj ndeshje?
Vllaznia njihet për masivitetin që ka te tifozëria e saj dhe kjo është një armë e shtuar për të. Në ndeshjet finale, tifozëria është shumë e rëndësishme për të motivuar skuadrën, por jo për ta vënë në presion atë. Sepse edhe ndodhë që në ndeshje të tilla, lojtarët nuk dinë ta menaxhojnë presionin. Unë kam dëshirë që të martën të shoh në stadium tifozë të Vllaznisë që kam parë në vitet ’90, në vitet ‘2000, ku megjithëse Vllaznia ishte udhëtuese, kishte numër të barabartë tifozësh me skuadrat që kishte përballë në fushën e lojës.
– Së fundi, parashikimi yt për këtë ndeshje?
Shpresoj për një ndeshje të bukur, për një ndeshje me gola. Do të ishte ideale që koha e rregullt të dilte 2-2 dhe më pas në kohë shtesë dhe pse jo nga pika e bardhë e penalltive të përcaktohej fituesi i këtij trofeu.
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI