I gjithë opinioni sportiv po e pret me padurim Klasiken e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, që do të luhet të dielën. Të dyja këto ekipe janë në garë për fitimin e titullit kampion këtë sezon, me kryeqytetasit që renditen të parët dhe kuqeblutë të cilët janë në ndjekje të tyre me një distancë prej gjashtë pikësh.

Gazetari i “SuperSport”, Sokol Xhihani, mendon se kjo do të jetë një ndeshje, ku normalisht asnjëra prej dy skuadrave nuk ka nevojë për motivim ose diçka tjetër të tillë, pasi çdo gjë vjen natyrshëm në një formë karikimi edhe për vetë rivalitetin që kjo sfidë ka.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Xhihani u shpreh se Vllaznia ka qenë me luhatje këtë sezon, por mendon se nuk i ka ndikuar shumë në renditje. Po ashtu, ai theksoi se Tirana nuk është aq e fortë sa në sezonin e kaluar, kjo edhe për shkak të shumë ndryshimeve që ka bërë. Për më tepër, mund të lexoni intervistën e tij dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

“Mendoj që kur luhet Vllaznia-Tirana nuk ka nevojë fare të shikosh formën e skuadrave, sepse për të dyja vjen vetë një formë karikimi, edhe për vetë rivalitetin që kjo sfidë ka. Më vjen mirë që kjo është një ndeshje me aromë titulli, pasi besoj se do ta bëjë edhe ndeshjen më të bukur.

Vllazninë e kam parë me luhatje në këtë sezon, por në një kampionat si ky i këtij viti ku diferencat janë minimale, mendoj që nuk i ka ndikuar shumë në renditje. Nga ana tjetër, Tirana vjen me statusin e kampiones, por për mendimin tim nuk është aq e fortë sa në sezonin e kaluar, kjo edhe për shkak të shumë ndryshimeve që ka bërë. Futbollistët e rinj të afruar duan ende kohë për ambientim.

Për vetë faktin që ndeshja luhet në “Loro Boriçi” mendoj që Vllaznia është favorite. Ka tifozët me vete që gjithashtu i japin një tjetër avantazh skuadrës. Për çdo skuadër që vjen të luajë në Shkodër me atë tifozeri është e vështirë.

Unë nuk kam parë asnjë qytet tjetër në Shqipëri të jetojë me futbollin siç bën Shkodra. E duan futbollin tmerrësisht shumë. Sa herë kam qenë në Shkodër për ndeshje kam mbetur i mahnitur. Kjo e rrit shumë moralin e skuadrës, por në të njëjtën kohë e fut edhe pak në presion për të fituar me çdo kusht për të justifikuar besimin e tifozëve. Gjithsesi, është plus i madh për Vllazninë të ketë një atmosferë të tillë para një ndeshje të rëndësishme.

Një fitore e fut plotësisht në garë dhe rrit moralin e besimin në skuadër. I jep edhe një sinjal skuadrave të tjera që Vllaznia do synojë titullin deri në fund.

Me parashikimet nuk jam shumë i saktë, por mendoj që Vllaznia nuk e humbet këtë ndeshje. Sigurisht që, Vllaznia mund të jetë kampione në fund të sezonit, pasi i ka të gjitha cilësitë. Nuk shikoj të ketë asgjë më pak se rivalet e tjera për titull. Megjithatë, për ta bërë këtë duhet të ketë më shumë vazhdimësi në rezultate”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, gazetari i “SuperSport”, Sokol Xhihani.
Maringlen ZHIVANI