Kampionatet e Ligës Amatore janë mbyllur pak ditë më parë dhe në fund të tyre janë kurorëzuar edhe më të mirët. Kuptohet që marrja e një kupe, medalje apo diplomë, është një kënaqësi shumë e madhe sepse konsiderohet kurorëzimi me sukses i mundit të një viti të tërë.

“Shkodra Sport” do sjell pranë jush profilet e pesë trajnerëve të ekipeve kampione të këtij sezoni. E nisim sot, me atë të Arber Shytani, trajnerit të ekipit “Djelmnia shkodrane” që u kurorëzua kampion i grupmoshës U17. Ndiqni më poshtë intervistën e dhënë prej tij për gazetën tonë:

– Arber, çfarë do të thotë të jesh trajner kampion?

Nuk kam pse të bëj modestin, ky titull kampion i fituar sigurisht që më ka dhuruar kënaqësi të madhe. Eshte viti i
dyte qe e drejtoj kete ekip dhe perpos suksesit, jam shume i kenaqur sepse me duket se kam filluar te merrem vesh mire me lojtaret.

Me këtë grupmoshë sezonin e ardhshëm do të marrim pjesë në kategorinë e parë. Kënaqësia nuk është thjesht se u renditëm në fund të kampionatit në vendin e parë, por sepse treguam një performancë shumë të mirë gjatë gjithë sezonit dhe dominuam ndaj të gjithë ekipeve.

Këtë e tregojnë edhe shifrat, kemi shënuar 115 gola, diferenca me vednin e dytë ka qenë 15 pikë dhe këto rezultate nuk mund të arrihen nëse ekipi nuk di të luajë bukur futboll. Prandaj dhe unë jam shumë i kënaqur me gjithë ecurinë që ka patur ekipi.

Dhe diçka shumë pozitive është se 90 për qind e grupit të lojtarëve do të jetë sërish në dispozicionin tim, ngaqë sivjet kanë luajtur me një ditëlindje më të vogël dhe do të kenë mundësi të luajnë edhe sezonin tjetër. Objektivi nuk do të jetë thjesht sa për të marrë pjesë, por do të kemi synime të qarta për të marrë maksimumin e mundshëm.

-Përfaqësoni një Akademi si ajo “Djelmnia shkodrane” e cila sidomos dy vitet e fundit po e thotë dukshëm fjalën e saj në futbollin e moshave në Shkodër. Çfarë është kjo Akademi?

Akademia “Djelmnia shkodrane” ka ardhur duke e marrë konfigurimin e saj të plotë sepse kemi ekipe për çdo grupmoshë
dhe secili ka trajnerin e vet, kemi trajner të përgatitjes atletike dhe trajner portierësh. Por jo vetëm kaq. Fakti që nga Akademia jonë tashmë ka lojtarë edhe në ekipet kombëtare, është një sukses.

Gjorgjino Zhuja është pjesë e rëndësishme jo vetëm e kombëtares rajonale por edhe e kombëtares së madhe për këtë
grupmoshë, Aldo Nika është pjesë e kombëtares U17 dhe ne shpresojmë që në të ardhmen të kemi edhe më shumë lojtarë në
këto ekipe, ashtu siç ka qenë më parë edhe Klaudio Narkaj e ndonjë tjetër.

Punën tonë na e ka lehtësuar shumë presidenti Benardin Kulla sepse duhet të dini që në Akademinë tonë futbollistët
kanë pagesa minimale për të bërë, ndërkohë që tek ekipi U17 nuk kanë pagesa fare sepse ato mbulohen nga presidenti. Përpos të gjitha këtyre, në sezonin e ri, Akademia jonë do të ketë në dispozicion dy fusha stërvitje dhe ato në kushte shumë të mira, duke qenë besoj Akademia më e plotësuar në këtë drejtim. Dhe kur investohet në infrastrukturë, kur investohet në burime njerëzore, atëherë nëse nuk ke rezultate, sigurisht që përgjegjësia do të bie mbi ne.


– Cilat janë planet për të ardhmen tuaj?

Jam duke e bërë me shumë dëshirë këtë punë dhe tek “Djelmnia shkodrane” ndjehem mirë. Më 1 gusht besoj se do të rinisë puna dhe po ashtu do të riformatohen ekipet dhe me siguri që ambicjet për të bërë mirë do të jenë edhe më të mëdha. Fakti që do të kemi në dispozicion terrenet më të mira sportive aktualisht në Shkodër, do të na ndihmojë për ta bërë edhe mirë punën tonë.
www.shkodrasport.com