Kampionatet e Ligës Amatore janë mbyllur pak ditë më parë dhe në fund të tyre janë kurorëzuar edhe më të mirët.
Kuptohet që marrja e një kupe, medalje apo diplomë, është një kënaqësi shumë e madhe sepse konsiderohet kurorëzimi me
sukses i mundit të një viti të tërë.

“Shkodra Sport” do sjell pranë jush profilet e pesë trajnerëve të ekipeve kampione të këtij sezoni. E nisëm me Arber
Shytanin, trajnerin e ekipit kampion të grupmoshës U17, ndërsa sot me atë të Saimir Kaloshit, trajnerit të ekipit
“Atletik Klub Shkodra” që u kurorëzua kampion i grupmoshës U15. Ndiqni më poshtë intervistën e dhënë prej tij për
gazetën tonë:

– Saimir, çfarë do të thotë të jesh kampion me moshat?

Padyshim që është një kënaqësi e madhe. Në rradhë të parë e fëmijëve sepse u shpërblehet puna e bërë gjatë të gjithë
vitit, por edhe është një gëzim edhe për ne si trajnerë. Unë dua të falenderoj të gjithë stafin. Besoj se kemi bërë
një punë të mirë, është një staf që punon shumë duke përmendur edhe trajnerët e tjerë, Erion Mandi, Lirjet Ujkaj,
Vahedin Pepajn dhe Eder Zmijanin.

Pa harruar këtu Elis Legatën dhe Elton Bungajën që pavarësisht se tani nuk është më në Shqipëri, sërish është pjesë e
rëndësishme e “Atletik Klub Shkodra”. Ky është viti i parë shpallem kampion me grupmoshën U15 dhe padyshim që është
një ndjesi e veçantë të vlerësohej si ekipi më i mirë i kampionatit.

– A ka patur rivalitet në kampionat?

Kanë qenë 3-4 ekipe të cilat kanë rivalizuar me njëri- tjetrin deri në fund. Besëlidhja ka patur një ekip shumë të
mirë, po ashtu edhe “Djelmnia Shkodrane” dhe “Shkodra”.

– A ka elementë që premtojnë për të ardhmen tek ekipi juaj?

Besoj se janë 3-4 elementë me shumë të ardhme, por ata duhet të vazhdojnë të punojnë fort sepse ndryshe nuk mund të
arrijnë asgjë në karrierën e tyre.

– Më e lehtë ka qenë për ju kur luanit futboll apo sot si trajner?

Kuptohet që vështirësia më e madhe është tani si trajner. Ke më shumë emocione, ego, përkushtim, por edhe përgjegjësi. Mundohem t’i transmetoj fëmijëve gjërat më të mira që unë kam patur si lojtar. Të jesh trajner është e vështirë por nëse di ta menaxhosh ekipin, besoj se ta lehtësojnë punën vetë futbollistët. Komunikimi me ta është shumë i rëndësishëm.

– Ky që sapo u mbyll mund të konsiderohet sezoni i “Atletik Klub Shkodra” nisur nga sukseset që ka arritur apo jo?

Po, kemi bërë një sezon të shkëlqyer mund të them. Kemi dalë kampion me grupmoshat U15, U13, U11 dhe po ashtu kemi
dalë në finale me ekipin U17 si dhe me ekipin U19 kemi bërë një sezon të mirë. Këto janë rezultate por në fakt synimi
ynë është të nxjerrim sa më shumë lojtarë cilësorë, sidomos deri tek mosha 15 vjeçare sepse më pas i dërgojmë në ekipe të tjera siç janë disa që luajnë aktualisht tek Akademia Vllaznia por edhe ekipet e tjera.

– Kur merr një trofe dhe shpallesh kampion është emocion, por për të qenë i tillë duhet patjetër që ekipi të ketë
brenda vetes vlera në mënyrë që të triumfojë ndaj kundërshtarëve…

Kjo është e rëndësishme. Për çdo grupmoshë ka brumë të mirë, ka elementë që spikasin dhe së paku janë nga 2-3 lojtarë
që bëjnë diferencën me të tjerët ndërsa pjesa tjetër është grupi.

– Dy vite krijim të “Atletik Klub Shkodra” dhe janë dy vite shumë të sukesshme. Çfarë ndodh tek kjo Akademi që ka kaq
shumë suksese?

Ajo që spikat mbi gjithçka është harmonia shumë e madhe që ekziston në çdo ekip por edhe tek stafi drejtues. Kjo sepse pavarësisht se çdo trajner ka moshat e veta që stërvit, por ne bashkëpunojmë shumë me njëri- tjetrin. Përpos kësaj, çdo trajner ka dorë të lirë për të punuar me ekipin e vet, të fusë ideta e veta tek lojtarët dhe kjo na ka bërë të ndihemi mirë. Unë dua të falenderoj edhe njëherë Elis Legatën dhe Elton Bungajën që kanë bërë diçka shumë të mirë me ndërtimin e kësaj Akademie.
www.shkodrasport.com