Kategoria Superiore duhet të niste në datën 12 shtator, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Klubet e elitës kanë bojkotuar aktivitetin sportiv pasi kërkojnë nga qeveria plotësimin e 4 kushteve në lidhje me Ligjin e Sponsorizimeve. Deri më tani gjithçka ka mbetur në “vend-numëro” dhe kjo pauzë e gjatë prej më shumë se 1 muaji, padyshim që ndikon në formën e futbollistëve. Shumë prej tyre i druhen dëmtimeve, ndërsa të tjerë kërkojnë që topi të zbresë në fushë pasi me të mbajnë familjet e tyre.

Newsport.al kontaktoi kapitenët e 10 klubeve të Superiores, të cilët dhanë mendimin e tyre për bojkotin e futbollit. Kishte nga ata që preferuan që “topi” të mbeste në dorë të presidentëve, por edhe klube që kanë vendosur që lojtarët e tyre të jenë në heshtje për shtyp. Çfarë mendojnë Batha, Limaj, Ignjatoviç, Arapi, Meksi, Hoxha, Gurishta, Sota, Çela dhe Murataj?

TIRANA

Idriz Batha: “Nuk mund të flas dhe komentoj pasi klubi është në heshtje për shtyp”.

KUKËSI

Vesel Limaj: “Është diçka që mendoj më shumë se i përket drejtuesve të klubit. Ne stërvitemi në çdo moment për të qenë të gatshëm kur do që të na japin dritën jeshile për të nisur. Normalisht duhen plotësuar kërkesat e klubit, por nuk është që i përket futbollistëve”.

LAÇI

Aleksandar Ignjatovic: “Ju kërkoj ndjesë, por unë s’mund të flas për diçka të tillë. Besoj se është çështje që i përket klubit”.

TEUTA

Renato Arapi: “Do doja të jepja mendimin tim me kënaqësi, por jemi në heshtje për shtyp dhe deri në fillimin e kampionatit nuk mund të flasim”.

SKËNDERBEU

Jorgo Meksi: “Periudha e bojkotit ka ndikuar keq te ne lojtarët, jemi këtu për të luajtur dhe kjo është puna jonë sepse fusha na mungon. Duhet që çështjet të zgjidhen sa më parë, futbolli duhet të luhet. Në fillim u ndalëm prej Pandemisë dhe tanimë bojkoti. Këtë periudhë jemi munduar ta shfrytëzojmë për mirë, pasi jemi konsoliduar si grup, duke parë dhe prurjet e reja që janë afruar.

Trajneri është munduar t’u tregojë lojtarëve se në çfarë ekipi janë, që edhe të rinjtë të kuptojnë emrin dhe fanellën që mbajnë veshur. Unë si kapiten do mundohem të jap kontributin tim që t’i mbështes lojtarët në fushë dhe në stërvitje. Kemi edhe disa afrime me eksperiencë që do jenë plus për ne. Besoj se do kthehet gjithçka në normalitet, pasi nëse vijon bojkoti do ndikojë edhe në gjendjen fizike dhe dëmtimet e lojtarëve, sepse ndeshjet do jenë të ngjeshura”.

PARTIZANI

Alban Hoxha: “Jemi në ajër për sa i përket kampionatit dhe nuk e dimë se kur do të fillojë. Është shumë e vështirë për ne lojtarët pasi jemi mësuar me ndeshje çdo javë dhe kjo ndalesë ndikon edhe te forma jonë. Gjithçka po bëhet për të mirën e futbollit, por shpresoj që kjo të marrë fund sa më shpejt që ne të kthehemi në fushë për të luajtur”.

VLLAZNIA

Erdenis Gurishta: “Mendoj se bojkoti nuk është zgjidhja e duhur për ne futbollistët. Duhet të ketë një zgjidhje sa më të shpejtë sepse sa më shumë të vazhdojë kjo situatë, më shumë problem do të jetë për ne. Kalendari i ndeshjeve do të jetë i ngjeshur dhe kjo është mbingarkesë për ne. Kjo mund të ndikojë edhe në dëmtimet tona”.

APOLONIA

Eljon Sota: “Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt pasi ne si lojtar dëshirojmë të luajmë në fushë. Nëse këto gjëra janë në të mirën e futbollit ashtu siç thonë e mira është që të bëhen sa më shpejt. Kjo ndalesë mund të ndikojë për keq te ne lojtarët pasi do të ketë ngjeshje të ndeshjeve siç ndodhi me pandeminë dhe mund të ketë shumë dëmtime. Shpresojmë që të zgjidhet sa më shpejt dhe ne të rikthehemi në fushë”.

KASTRIOTI

Emiliano Çela: “Unë jam kundër bojkotit. Aktualisht po bëjmë stërvitje, por s’po punojmë. Pra, siç e kuptoni nuk paguhemi sepse s’kontribuojmë në fushë. Më tepër se kaq nuk kam çfarë të them”.

BYLIS

Valentino Murataj: “Unë mendoj se bojkoti nuk është zgjidhje për situatën që po kalojmë. Shpresoj të gjendet një zgjidhje nga të dy palët. Është shumë e vështirë për futbollistët kjo situatë sepse s’jemi mësuar të stërvitemi dhe mos të kemi ndeshje në fundjavë. Shpresoj të zbresim në fushë sa më shpejt sepse është për të mirën e të gjithëve“.