Tradita e atletikës së femrave në Shkodër duket se po rikthehet. Pas disa viteve jo të mira në këtë drejtim, duket se kohët e fundit gjërat kanë marrë për mirë. Këtë e tregon më së miri edhe numri i madh i vajzave të pranishme çdo ditë në stërvitje.
Trajnerët Tufi, Marashi, Rrotani e Tafa kanë në stërvitje një numër prej rreth 50 vajzash dhe kuptohet që ky është një lajm i mirë sepse ndër to ka edhe sportiste që premtojnë shumë për të ardhmen.
Dhe në fakt, përpos Erisa Rrasës që tashmë është e konfirmuar, madje edhe si kampione me të rriturat ndonëse është vetëm 15 vjeçe, në skenë ka dalë edhe një tjetër atlete e perspektivës. Ajo është Sara Malaj, 14 vjeçare që me rezultatin 1.45 metra në garën e kërcimit së larti, është ndër më të mirat në Shqipëri në këtë disiplinë.
Në një prononcim të dhënë për TV Rozafa, Malaj ka bërë edhe premtimet e para se cilat janë objektivat e saj për vitin 2020 duke thënë:
“Synimet e mia normalisht janë për të arritur rezultate sa më të mira dhe pas shifrës 1.45 metra që arriti gjatë vitit të kaluar, sivjet synoj që ta çoj në 1.50 m dhe pse jo edhe në 1.60 metra. Natyrisht që për mua nuk ka qenë e lehtë të konkurroj me sportiste që janë në moshë më të madhe se unë, por gjithsesi ia kam dalë me sukses falë punës së madhe që kemi bërë bashkë me profesor Vildan Tufin. Unë do të punoj fort edhe në të ardhmen për të patur të tjera suksese”.
© shkodrasport.com