Marash Kumbulla ishte padyshim një nga rikthimet më të mëdha në Kombëtaren shqiptare prej gati një viti mungesë, si pasojë e një dëmtimi që e la jashtë për një kohë të gjatë. Agjenti i mbrojtësit kuqezi, Xhani Vitali, në një intervistë për mediat italiane, foli për këtë rikthim.

“Ky grumbullim vlen shumë për të, për më tepër në nivelin emocional. Kumbulla ka kaluar një dëmtim të tmerrshëm, të ndërlikuar, të gjatë. Rikthimi në Kombëtare, pak përpara Evropianit, ka shumë vlerë për të, në shumë aspekte. E priste me padurim këtë ftesë”, u shpreh agjenti i Kumbullës.

Vitali zbulon më pas se një nga arsyet kryesore pse u largua nga Roma ishte pikërisht për të qenë në formë për “Euro2024”: “Po, absolutisht po, besoj se nuk ka rast më të mirë për një lojtar se sa Evropiani. Besoj se do të ketë vend për Kumbullën në këtë turne të jashtëzakonshëm, plus që Shqipëria do të debutojë kundër Italisë, ka shumë pritshmëri në këtë aspekt, mezi po e pret.”

“Çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Kumbullës? Ne me Romën kemi një pakt, ky kalim te Sassuolo ishte për të fituar më shumë minuta. Nëse është e mundur ne dëshirojmë të rikthehemi në verë. Marash ka një kontratë me Romën deri në 2027, më pas do të shohim”, përfundoi agjenti i mbrojtësit shqiptar.