Xhampiero Gasperini është padyshim një nga trajnerët më të vlerësuar aktualisht në Itali. Pakkush mund ta mendonte që nëj klub i vogël si Atalanta mund të shkonte në Europë, e për më tepër në Ligën e Kampioneve.

Por Gasperini ia doli, duke kaluar klube me një buxhet shumë herë më të madh me një futboll sulmues, e duke u kthyer aktualisht në skuadrën e vetme e cila arrin të mbajë disi hapin e Juventusit dhe Interit në Serinë A.

Ai ka insistuar në një intervistë se arritja e Ligës së Kampioneve me Atalantën ishte kulmi i karrierës, por kishte pasur edhe eksperienca të tjera shumë të suksesshme. “Suksesi i parë i madh ishte me Krotonen, kur u ngjita nga C në B, pastaj te Xhenoa, nga B në A për të arritur në Europë”, insistoi ai. Pas asaj eksperience te Xhenoa, erdhi firma për Interin, ku ai mbijetoi shumë pak.

Kur mbërrita te Atalanta, vija nga dy eksperienca pozitive te Xhenoa, por ajo me Interin më kishte djegur në nivelet e larta dhe duhej të rifilloja në Serinë A me një skuadër të mesit të klasifikimit”, shpjegoi trajneri, duke cilësuar “ringjalljen” e futbollistëve që vinin pas sezoneve zhgënjyese si tiparin e tij dallues.

“Kur një skuadër arrin objektiva të tillë, do të thotë që ka lojtarë shumë të fortë. Te Xhenoa kisha fatin të kisha Milito dhe Tiago Mota, lojtarë që nuk vinin nga sezone të shkëlqyera, por që ditën të ktheheshin në lojë. Një karakteristikë e imja dhe shumë lojtarëve që kam drejtuar”, tha Gasperini. /vipsport/