Bylisi, një nga skuadrat e momentit në Superiore, përballet sot me Laçin rival. Pas fitores me Dinamon dhe kualifikimit në Kupë, ballshiotët shkojnë të karikuar në këtë sfidë. Mesfushori Arli Përgjoni, i cili mund të quhet pa frikë një zbulim, në një intervistë për mediat flet për eksperiencën e parë në elitë, objektivat dhe ndeshjen e sotme.
“Të jem i sinqertë, kisha pak emocion në fillim. Erdha me shumë dëshirë për të luajtur me Bylisin në Superiore, asnjë lojtar i ri dhe me ambicie nuk e refuzon. Kam punuar shumë, por edhe jam mbështetur maksimalisht nga presidenti, të cilin e falënderoj, ashtu si dhe trajnerët.
Me punë po afirmohem, dua të luaj në çdo ndeshje. Jam mundur të shfrytëzoj aftësitë e mia dhe fizikun, sepse në Superiore duhen edhe pak muskuj. Më pëlqen të shënoj gola spektakolarë” ka thënë Përgjoni për aspektin personal.
LAÇI – “Jemi paraqitur mirë, por kemi bërë detyrën. Gradualisht po shkojmë tek ajo skuadra stabël që pretendojmë. Eliminimi i Tiranës nuk është pak, e merituam. Vëmendjen e kemi te kampionati, ku gara është mjaft delikate. Me Laçin do të mundohemi të luajmë bukur, si në ndeshjet e fundit, dhe sigurisht synojmë të marrim pikë”, shton mesfushori.
IDHULLI KOLA – “Lezha është shkollë futbolli. Në Ballsh jemi disa lezhjanë dhe ndihemi shumë mirë. Idhulli? Nëse e përshtas pak edhe me zonën time, do të thosha Bledar Kola. Një lojtar elegant, i fortë dhe që shënonte gola spektakolarë. Shpresoj të eci në gjurmët e tij”, përfundon Përgjoni.