17 dhjetor 2011… Armando Vajushi do të luante për të fundit herë në kampionatin shqiptar, duke shënuar golin e fitores 2-1 të Vllaznisë përballë Dinamos, por do të dilte edhe me të kuq nga fusha e blertë. E priste një biletë avioni për në Bullgari, destinacioni Lovek, në Bullgari.
Te Liteksi do të niste aventura e tij e re përtej kufinjve. Më shumë se 7 vjet në “emigrim”, sulmuesi shkodran kthehet në atdhe, këtë herë duke veshur fanellën e Teutës. Telesport ndërton të gjithë kronologjinë që solli në këtë marrëveshje të pabesueshme në datën 2 shkurt, kur edhe palët shtrënguan duart dhe ranë dakord për gjithçka.
Pritja, Kukësi, Partizani dhe… – Kanë qenë ditë frenetike për sa i përket të ardhmes së shkodranit, të cilit telefoni i ka rënë shpesh gjatë kësaj periudhe dimërore të merkatos. Gjashtë muaj pa skuadër, por duke u stërvitur individualisht dhe, për dy javë, me ekipin rumun Botosani. Një shtrëngim dore, faleminderit dhe më pas “ndarja”, për një “martesë” që nuk u realizua.
Kushtet ekonomike nuk u përputhën. Ndërkohë, në telefonin e tij vinin thirrje me prefiks +355. Sondazhe, interesim dhe kontrata gati. Ka qenë Kukësi ekipi më shumë i interesuar. Vetë kreu i klubit verilindor, Safet Gjici, donte ta prezantonte si qershinë mbi tortë. E gjitha kjo, përpara se alternativa të kthehej Valdet Rama.
Pikërisht ish-mesfushori i kombëtares do të kthehej në “plan B”, për t’u bërë më parë “plan A”, kur Vajushi dhe Kukësi u ndanë me një “me këto kushte nuk bëhet”. Në anën tjetër, drejtori i Partizanit, Olsi Rama, pasi bisedoi edhe me trajnerin Gega, nuk vendosi të këmbëngulte, jo për pamundësi ekonomike, por sepse të kuqtë ishin një orkestër që funksiononte dhe që nuk duhej prishur asgjë.
Në rast se do të kishte pasur largime, atëherë sigurisht që sot Vajushi do të vishej i kuq. Telefonata edhe nga Vlora, aty ku Sinan Idrizi mendoi të fuqizonte Flamurtarin, ndërsa edhe Tirana do të provonte goditjen.
Detajet dhe akordi – Presidenti Hasanbelliu ishte i fundit që mendoi për Vajushin. Mati terrenin dhe pa nëse mund të kryhej kjo lëvizje “big”. Bledi Shkëmbi, trajneri i Teutës, i entuziazmuar për këtë afrim të mundshëm, do të shtynte së tepërmi për shkodranin.
Palët biseduan dhe në fund ranë dakord: kontratë për katër muaj dhe 10 mijë euro në muaj bashkë me bonuse. Një trampolinë për Vajushin, ashtu si shpesh ka ndodhur edhe me futbollistë të tjerë. Sigurisht, në rast se Teuta shkon në Europë, kontrata mund të shtyhet edhe për ndeshjet europiane, por gjithçka mbetet për t’u diskutuar. Një pakt “zotërinjsh”.
Rrëfimi – I intervistuar ekskluzivisht nga “Telesport”, Vajushi, që do të prezantohet ditën e hënë në ambjente te klubit të Teutës, ka rrëfyer gjithçka: “Më mungonte shumë Shqipëria dhe mezi pres të luaj.
Vij me një dëshirë të jashtëzakonshme dhe uroj që të realizojmë objektivat. Kam folur me trajnerin Shkëmbi dhe falënderoj presidentin e Teutës. Janë shkruar shumë të pavërteta mbi kalimin tim në Rumani. Më vjen keq për këtë gjë. Jam stërvitur rregullisht gjatë kësaj kohe dhe dua të jap më të mirën.
Refuzova oferta nga Qipro, Izraeli dhe Turqia, sepse më mirë në atdheun tim me më pak pretendime se sa jashtë. Do të shpërblej besimin e Teutës karshi meje”, tha shkodrani për “Telesport”, që më pas, i pyetur për interesimin e Kukësit pranoi: “Po, Kukësi më ka kërkuar vazhdimisht gjatë kësaj periudhe.
Kam pasur biseda me presidentin Gjici, por në fund nuk ramë dakord për pjesën ekonomike. Trajnerin Cungu e njoh dhe ai më njeh. Nuk ishte asnjë problem teknik, thjesht ekonomik. Teuta më deshi më shumë dhe u ulëm në tavolinë e biseduam. U deshën vetëm pak minuta që të gjenim akordin”./telesport/