Prej shumë vitesh flitet e flitet për çështjen e privatizimit të Vllaznisë, proces që në fakt nuk ka avancuar. Por ndërkohë në skenë ka dalë sërish një ide tjetër, ajo e një bashkëpunimi privat- pushtet vendor. Njëlloj siç pat ndodhur në vitin 2002, atëherë kur pas ndarjes nga jeta të ish- presidentit Myftar Çela, klubi mbeti pa sponsor.

Për rrjedhojë, një ndërhyrje e Prefektit të asaj kohe, Gjergj Leqejza, arriti të grumbullojë në klub biznesmenët më të njohur të qytetit që morën përsipër sponsorizimin e klubit sipas donacioneve të ndryshme që ato bënin. Dhe prej kësaj formule pastaj dolën presidentët Agron Çela e Valter Fushaj që e mbajtën Vllazninë deri në vitin 2011.

Duke iu rikthyer kësaj ideje, Leqejza, një bisnesmen shumë i njohur, gjatë një prononcimi në emisionin “Sport Shoë” në TV1 Channel, ai ka hedhur idenë e rikthimit të një bashkëpunimi të tillë privat- pushtet vendor. Ndërsa kur flet për privatizimin e klubit, ai deklaron se biznesi shkodran me problemet që po kalon, nuk është i përgatitur për të privatizuar Vllazninë.

“Mendoj se ka ardhë koha me ba një program, me marr një vendim, për të cilin nuk duhet të ndikohemi shumë nga pasionet, ndërhyrjet sepse dihet si është ambjenti i Shkodrës. Unë propozoj një partneritet me pushtetin vendor, gjithmonë duke gjetur një drejtim profesionistësh. Nëse do të kishte ndodhur kështu deri më tani, sigurisht që Vllaznia nuk do të ishte në këtë gjendje ku ndodhet sot.

Por duhet një program i saktë dhe që nuk mund të bëhet për një vit, ndonëse tifozët kërkojnë ndryshime të shpejta. Ky është një proces jo krejt i lehtë. Tifozët kërkojnë, futbolldashësit pretendojnë, pushteti vendor kërkon, politika don me ndërhy.

Por nëse bien dakord për një projekt të qartë, ta themi vitin e parë do të jetë mbijetesa, të dytin pastaj më shumë e kështu me rradhë. Në momentin që krijohet baza pastaj, vazhdimi do të jetë më i lehtë.

Duke pasë parasysh se sa janë nevojat e Vllaznisë, duke pasë parasysh se rregullimi i financimeve në vitet e ardhshme do të jetë edhe më strikt, unë nuk besoj se është në Shkodër formula më efikase e zgjidhjes së këtij problemi. Nga sa kam informacion, edhe Ligji i ri i Sportit vë disa rregulla që nuk janë të kollajta për biznesin e Shkodrës.

Nuk jam duke folur këtu për Kastratin Group, Sigma apo Vienna Insurance e të tjera grupe të mëdha biznesi në Shqipëri, por për biznesin shkodran, për të cilin kam dyshimet e mia se nuk është i përgatitur për të privatizuar Vllazninë. Ndërsa për një kombinim mes privatit dhe pushtetit vendor, edhe mund të funksionojë.

Këtë e them edhe nga eksperienca ime e para 17 viteve kur ftova biznesnet e Shkodrës për t’u bashkuar dhe financuar Vllazninë dhe ato u përgjigjën pozitivisht brenda javës dhe asnjëri nuk ka patur pretendime. Nëse bëhet mirë edhe tani, sërish mund të funksionojë”- ka thënë Leqejza.
© shkodrasport.com