Vllaznia ka firmosur pak dite më pare një kontratë me një talent të ri afrikan, të marrë nga akademia nigeriane “Derby”. Vetë drejtori teknik Engin Firat ka udhëtuar drejt Afrikës në mesjavën e kaluar për të nënshkruar me Izuna Kristofer, i cili shihet si një nga emrat që mund të bëjnë diferencën në futbollin tonë.

Mediat në Nigeri kanë zbuluar edhe detajet e kontratës të nënshkruar mes palëve, pasi Izunna Christopher Jesus Metu do të ketë kohë deri në fund të këtij sezoni për të treguar se sa vlen dhe nëse meriton një tjetër marrëveshje, këtë herë trevjeçare me kuqeblutë.

Kjo i është premtuar atij para se të hidhte firmën në marrëveshje dhe të binte dakord që të udhëtonte me Firat drejt Shqipërisë për t’u vënë nën urdhrat e Hasan Likës.

Vetë lojtari shpreson që me transferimin në Europë, jo vetëm të bëjë hapin para në karrierë, por edhe të fitojë trofe. “Unë shkoj në Shqipëri për të fituar trofe, edhe pse dua më parë të zhvillohem si lojtar dhe të fitoj eksperiencë në një klub të ri. Vllaznia është një klub i madh dhe dua të fitoj trofe atje. Jam gati të mësoj dhe pranoj këtë sfidë të re”, tha ai.

Ndërkohë, edhe Firat e ka cilësuar këtë si hapin e parë të bashkëpunimit me akademinë nigeriane. “Ky bashkëpunim është një përfitim i ndërsjellë mes palëve pasi në shpresojmë që të marrim më shumë talente nga kjo akademi”, tha ai. /vipsport/