Ish-sulmuesi dhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, mendon se klubi shkodran ka bërë çdo lloj llogarie gabim në fillim të sezonit sa i përket merkatos. Në një prononcim për “SuperSport”, ai ka treguar se sheh klubi në pozita të vështira dhe duhet shpresuar që të ketë një ndryshim në janar. “Vllaznia ka gabuar shumë në merkaton e fillim-sezonit, se u afruan emra të mirë të futbollit shqiptar. Por ka bërë dyndje mesfushoresh shumë kualitativë, duhet të them se janë 3-4 lojtarë që rrinë në stol, harxhojnë 10 milionë në muaj e rrinë rezerva.
Të marresh Orelesin e ta vendosësh mbrojtës, aty fillon gabimi. Portieri është një pikë që duhej gjetur, edhe sulmuesi. Vllaznia ka shpenzuar shumë lekë në mesfushë, por ka gabuar në mbrojtje, sulm e portë.
Në fillim të sezonit, drejtori Zeka dhe trajneri Cungu nuk kishin marrëdhënie të mira dhe nuk bashkëpunonin. Njëri kërkonte të sillte lojtarë e tjetri nuk donte. Për mendimin tim, bashkëpunimi i atyre që udhëheqin Vllazninë, ka qenë në një dozë të vogël besimi. Në këtë situatë, secili ka bërë kokën e vet, dhe puna shkoi këtu. Vllaznia t’i lutet Zotit që Luftëtari e Lushnja të mos bëjnë hapa para e në janar të bëjnë blerjet e duhura. Shpresoj që të kenë menduar që tani për çfarë kanë nevojë e t’i kenë gjetur. Nëse nuk kanë lëvizur që tani për të gjetur pikat e dobëta të ekipit, do të jetë e vështirë edhe në vazhdim.
Ata që thonë që ky është maksimumi i Vllaznisë e kanë gabim. Po të shohësh, Vllaznia ka bërë ndeshje të mira, ka pasur raste që fati nuk ka qenë me të. Por asnjë ekip nuk e ka shkatërruar apo të thuash se ka qenë shumë dobët. Por unë e shoh shumë të vështirë që duke pasur popullim në mesfushë të vazhdohet në qetësi. Për t’i menaxhuar ato lojtarë duhet bashkëpunim i jashtëzakonshëm, për të shmangur pakënaqësitë. Kush mendon që ky është kapaciteti i Vllaznisë, e ka gabim”, ishin fjalët e Martinit.