Gazetari sportiv shkodran, Admir Uruçi, mendon se Vllaznia mund edhe ta kishte fituar ndeshjen me Laçin. I ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, ai tha se me kurbinasit ishte një takim shumë i vështirë, por shkodranët në disa momente të ndeshjes, e dominuan plotësisht lojën dhe mund të dilnin me tre pikë nga Laçi.
Uruçi u ndal edhe tek situata e dëmtimeve që Vllaznia po kalon së fundmi, teksa u shpreh se këto problemet janë të ardhura shumë shpejt, pasi është akoma herët dhe nuk është mbyllur faza e parë. Një gjë e tillë, sipas tij, është disi e habitshme, pasi ekipi shkodran ka qenë në tonus gjatë gjithë verës me fazat përgatitore, por edhe me ndeshjet e Conference League ndaj Kraiovës.
Më pas, gazetari sportiv shkodran dha edhe një lajm të keq për opinionin sportiv shkodran, teksa tha se Latifi nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Mirel Josa deri në janar, ç’ka mund të krijojë probleme në fazën ofensive për Vllazninë.
“Për Vllazninë, ishte përgjithësisht një javë e mirë, për të mos thënë shumë e mirë, sepse e tillë do të ishte nëse fitonim me Laçin. Megjithatë, një javë e mirë, pasi kualifikohemi në Kupë dhe një barazim në një fushë që nuk është aspak e lehtë.
Në fakt, është një fushë shumë e vështirë. Nëse do më pyesnin para ndeshjes, a do isha i kënaqur me barazimin, padyshim që do ta kisha firmosur, por me atë që dhanë në fushën e lojës, Vllaznia mund edhe ta fitonte ndeshjen. Me Laçin ishte një takim i vështirë, nuk ishte e lehtë. Në Laç nuk e kemi pasur asnjëherë të lehtë, përjashto vitin e fundit, që sikur e kemi zhbllokuar atë situatën e takimeve në Laç.
Gjithmonë, ne në Laç, rezultatin më të mirë kemi marrë barazimin. Duhet thënë se, pavarësisht edhe pse barazuam, ne mund ta fitonim atë ndeshje, por edhe mund ta humbisnim, sepse ishim 1-0, por mendoj që më shumë mund ta fitonim, se sa mund ta humbnim.
Kemi pasur dy 20-minutësha të mirë mendoj unë në dy fundet e pjesëve dhe në pjesën e parë, edhe mund ta godisnim Laçin dhe të ishim më të qetë. Poashtu, edhe në pjesën e dytë, pas golit, kemi dominuar ndeshjen plotësisht dhe nuk e kemi vendosur në asnjë moment barazimin në rrezik.
Këto dëmtime të Vllaznisë janë të ardhura shumë shpejt dhe të gjitha në një kohë. Mos të harrojmë se kemi qenë pjesë e Kupave të Europës, pra ekipi ka qenë gjithë kohën në tonus. Unë nuk e marr vesh pse vijnë domethënë që në javën e parë. Ndoshta, Latifi nuk bëhet deri në janar”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv, Admir Uruçi.
Maringlen ZHIVANI