Emanuela Rusta ka hyrë në histori të premten në darkë, teksa ishte gjyqtarja e parë që drejtonte në një derbi të kryeqytetit, duke qenë asistente në linjën e portës. Në një prononcim për “SuperSport”, ajo ka treguar emocionet e kësaj sfide historike të saj.
“Ishte kënaqësi shumë e madhe të isha pjesë e grupit të gjashtë arbitrave, ishte kënaqësi dhe përgjegjësi me vete. Normalisht që kisha emocione se ishte derbi i parë, e kisha parë si tifoze, dje isha në fushë dhe kjo të jep emocion. Mendoj se i menaxhova mirë emocionet.
Si reagova kur e mësova? U emocionova, fillimisht mendova mos e kisha lexuar gabim mesazhin, pastaj e konfirmova në e-mail dhe normalisht… Isha me familjen dhe po më shohin çuditshëm nga reagimi, më thanë po tani çfarë pate.
Si u bëra gjyqtare? Kam qenë basketbolliste për 7 vite me Elbasanin, një miku im rastësisht me foli për arbitrimin. Mbështetja e madhe nga familja dhe nga kolegjiumi i Elbasanit që kam ardhur këtu.
Si është për një femër në impiantet shqiptare? Ka stadiume e vende që nuk plotësojnë kushtet.
Unë kam gjykuar në Kategori të Dytë ndeshje, te të rinjtë e paratërinjtë. Ka shkuar gjithmonë mirë, nuk ka pasur reagime të papëlqyeshme. A jam gati për Superiore? Me duhet edhe pak eksperience e pastaj mund të jemi gati. Pretendimi për 11-metërsh i Partizanit? Përderisa nuk e kemi gjykuar të tillë… ”, tha Rusta. /vipsport/