Eldorian Hamiti ra pre e dhunës në ndeshjen Kamza-Laçi duke qenë se drejtues dhe tifozë të Kamzës, pushtuan fushën duke sulmuar arbitrin që akordoi një penallti në fund. Në një rrëfim për ‘Procesin Sportiv’, ai ka treguar momentet e dhunës, duke pranuar se u ndje i vetëm ndërkohë që shton se e ka goditur edhe vetë presidenti i Kamzës që u duk sikur po e mbronte.
“Në fushë u ndjeva shumë vetëm dhe po mendoja vetëm për nusen. Doja ta kontaktoja vetëm që t’i thoja se jam mirë. Nuk e di çfarë të them. Në fushë nuk ndjeva presion dhe kam njohur vetëm presidentin. Më pas mora vesh që janë njerëzit e tij. Mendova se po më mbronte.
Në fund të pjesës së parë kishim një bisedim normal por më ka goditur edhe ai. Policia private i njihte dhe nuk reagoi me përjashtim të një ose dy personave. Pjesa tjetër ishin inekzistent dhe më shumë më kanë dalë zot trajneri dhe futbollistët.
Policia e shtetit ishte e pa orientuar dhe po vinte ngadalë. Është shumë keq ajo që ndjeva në fushë. U ndjeva vetëm. Është viti i 4 në Superiore dhe kur afrohet fundi, vështirësohet puna. Unë jam dëmtuar fizikisht por janë dëmtuar të gjithë. Të gjithë u bënë Hamitaj edhe pse u godita unë. Nëse këtë punë nuk e dashuron, nuk mund ta bësh.
Vazhdimësia? Jam gati të gjykojë që javën e ardhshme. Sa më shumë të zgjasë te unë psikologjikisht, aq më keq për mua. Me sportin kam filluar në klasë të dytë dhe aty vazhdoj sot. Jam gati të rikthehem javën tjetër edhe pse ka lënë shumë shenjë, por do të ecim përpara”, tha Hamiti. /VipSport/