Rinev Danaj e konsideron të tepërt dënimin që i është dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Portieri është përjashtuar përjetësisht nga futbolli i luajtur, pasi goditi arbitrin e 4-t të ndeshjes Veleçiku-Besëlidhja. Nuk e mohon që e ka kryer një gjest të tillë, madje shkon deri aty sa i kërkon edhe falje Besnard Kaimit.

Një takim i humbur minimlisht nga shënkollasit, që shoqërohet me pasoja edhe më të rënda se ai trepikësh i pamarrë. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari rrëfen gjithçka ngjau të shtunën e kaluar në fushën neutrale të “Ismail Xhemalit”, qytet ku u zhvillua edhe ky duel.

Ai evidenton se ndeshja duhet të shtyhej, pasi kushtet atmosferike ishin të papërshtatshme, e megjithatë zyrtarët e takimit nuk e morën një masë të tillë, pasi donin që të mos qëndronin edhe një ditë tjetër në Pukë. Lezhjani shkon edhe më larg se kaq, ndërsa thekson se përjetësisht në vendin tonë nuk janë dënuar as ata që kanë vrarë 4 njerëz.

RRËFIMI I PORTIERIT

“Të shtunën u zhvillua një ndeshje pa asnjë organizim, madje kishte edhe erë tepër të fortë. Në gjithë vendin shkaktoi dëme të mëdha, deri në përmbysje maunesh.

Pas portave nuk kishte njeri që të mblidhte topat me gjithë atë erë. Aty maksimumi 30 minuta u luajt futboll, pasi topi shkonte larg dhe vonohej shumë për ta risjellë. Kjo gjë ndodhi shpesh. Që në nisje loja duhej të shtyhej për të dielën, ashtu siç ndodhi me Besëlidhja-Korabi. Nuk u bë kiameti se u vonua një ditë kalendari. U njoftuam vetëm të premten në orën 8 se do luanim në Pukë. Ambulance sa vinte, ikte.

Ka ndenjur shumë pak në stadium, kur duhet të rrijë deri në fund. Policë brenda nuk kishte fare. Të gjitha këto ndodhin për faj të delegatit dhe vëzhguesit. Gjyqtarët insistuan në zhvillimin e ndeshjes, edhe pse pa kushte, vetëm se përtonin të vinin të nesërmen. Federata këto gjëra duhet t’i shikojë me vëmendje dhe jo vetëm të dënojë futbollistët, por edhe përgjegjësit që çuan deri në atë situatë.

Më vjen keq për këtë vendim ndaj meje, pasi janë vrarë edhe 4 vetë dhe nuk ka pasur dënim përjetë. Unë do ta apeloj vendimin, nuk është i bazuar në rregullore një dënim kaq i rëndë. Duke përfunduar, dua që t’i kërkoj falje gjyqtarit të katërt të takimit Kaimit, gjithçka ka ndodhur në gjendje depresioni ,për shkak të kushteve dhe rrethanave që u krijuan në atë ndeshje, që nuk mund të quhet e tillë”, përfundoi Danaj.