Futbolli shqiptar ndër vite ka pasur edhe futbollistë polakë si pjesë të tij. I pari është Przemislav Norko, ish-portieri i Partizanit i cili luajti me të kuqtë në sezonin 2005-2006. Norko ka vazhduar të ndjekë futbollin shqiptar edhe pse nuk është kthyer më në vendin tonë, teksa sot ka komentuar atë që pret për sfidën mes Shqipërisë dhe Polonisë në “Air Albania” për mediat polake.
“Do luajmë ndaj një skuadre që është në formë të mirë, ka lojtarë të mirë dhe luajnë në kampionate të forta të huaja. Ishte e dukshme që në Varshavë që Shqipëria ishte në gjendje të na përballonte. Kjo skuadër përbëhet nga lojtarë të mirë teknikisht, është pak më keq taktikisht, ndonëse trajneri Silvinjo po punon shumë me ta. Ajo që është në favorin e tyre, është se Polonia është në një situatë më të keqe dhe duhet të luajë për të fituar”, tha fillimisht Norko për “TVP Sport”.
“Unë e njoh mentalitetin e tyre, ata do të dalin nga dhomat e zhveshjeve dhe po ta themi në gjuhë popullore, do të marrin me vete sëpatat. Do të dëshirojnë që të fitojnë këtë ndeshje në mënyrën e tyre. E dinë që Polonia është në një gropë nga e cila nuk mund të dalë. Ndaj ata do të luajnë pa pasur respekt ndaj nesh dhe me kurajë. Unë pres pak agresivitet nga ata, por edhe për shkak të paraqitjeve tona të fundit, pak më shumë futboll të mirë.
Nuk do të ketë absolutisht asnjë lloj llogarie. Këta janë lojtarë të cilët besojnë fort te vetja në vitet e fundit. Ata luajnë në klube si Empoli, Atalanta apo Interi. Atyre nuk u bën përshtypje ekipi i Polonisë, pasi ata luajnë në skuadra me lojtarë të kalibrit europain, mentaliteti i tyre ka ndryshuar që kur luaja unë”, vijoi portieri, i cili kujtoi edhe vitin e tij në futbollin shqiptar.
“Futbolli ka qenë gjithmonë sporti më i rëndësishëm atje. Ndër vite dhe aktualisht, kishte vetëm një probleme të vetëm… Cili? Marrim për shembull Partizanin. Klubi në fjalë dhe Tirana janë dy skuadrat me traditën më të madhe në Shqipëri. Kur unë u largova nga Partizani, filluan problemet financiare. Skuadra u mbulua nga borxhet dhe ra nga kategoria, pastaj u ngjit dhe ra përsëri.
Ka pasur shumë trazira atje ndër vite. Sot është kampioni i Shqipërisë dhe luan në kompeticionet europiane. Ata arritën në konkluzionin se të luajnë në Europë është një mundësi për të bërë para të mira në një mënyrë të ndershme. Mentaliteti ka ndryshuar. Ka më pak njerëz që merren me fitime të pandershme, më saktësisht, po flasim për pastrim parash në klube futbolli.
Unë kisha dy presidentë te Partizani. Njëri ishte i shkëlqyer për klubin, ai shfaqej si imazhi kryesor. Për fat të keq, ai nuk kishte para, ndaj një president i dytë u shfaq me një portofol pak më të madh. Ai vepronte në hije, por ishte ai që mbante klubin gjallë. Ky nuk ishte shembulli i vetëm. Skënderbeu, një tjetër skuadër e titulluar.
Kjo skuadër ia kalonte mire teksa fituan disa herë titullin kampion, për më tepër, kishte buxhetin më të madh. Më vonë njerëz të pandershëm u shfaqën rreth tij dhe përfundoi duke rënë nga kategoria. Tani po ndodh një rindërtim dhe çdo gjë duket në rrugën e mirë për t’ia dalë. Si fillim, nuk ka më korrupsion”, tha ndër të tjera Norko në intervistën e tij.