Kapiteni i Vllaznisë Gilman Lika është i mendimit se edhe pa përforcime objektivi i klubit do të realizohet. Vllaznia në këtë merkato ka arritur të marrë vetëm një lojtarë që është mesfushori Kruja ndërsa nga skuadra është larguar mbrojtësi i qendrës Dan Ignat. Rumuni ka kërkuar letrat e largimit nga klubi. Tani edhe drejtuesit po bëjnë llogaritë pa të.
“Nuk ka shumë rëndësi kush largohet e kush afrohet në ekip. Unë e kam thënë edhe më parë që afrimet e largimet që mund të ndodhin nuk e zbehin aspak atë objektiv që ne kemi për të këtë sezon. Ne jemi të bindur se me përbërjen që ka skuadra do të jemi në Superligë. Ekipi është cilësor,” – u shpreh kapiteni.
Kruja
Kapiteni Lika foli edhe për afrimin e vetëm të kuqebluve në këtë sezon. Ai vlerësoi shkodranin Kruja duke e quajtur një vlerë të shtuar për ekipin. “Njihen vlerat e Krujës. Ai ka ardhur nga një skuadër e Superligës dhe ka shumë për të dhënë edhe për ne. Ai sëbashku me ne, do të bëjmë të mundur që të realizojmë objektivin dhe që të kemi sa më shumë cilësi e konkurencë brenda nesh. Them se është afrim me vlerë për ne,”- vijoi Lika.
Erzeni
Vllaznia e nis pjesën e dytë të sezonit me një transfertë mjaft të vështirë. Përballë do të ketë një nga rivalet direkt për kalimin në superligë ekipin e Erzenit. Për Likën kjo është një përballje që mund të sqaroj shumë gjëra përsa i përket vazhdimësisë. Një fitore e Vllaznisë mund të thotë shkëputje edhe më shumë ndaj kundërshtarëve.
“Një takim shumë i vështirë për ne. Një takim që mund të sqarojë shumë gjëra për të ardhem. Në rast të një rezultati pozitiv për ne gjithçka mund të flasë vetëm në fovarin tonë. Ne jemi përgatitur dhe do të shfrytëzojmë gjithë këtë javë që të marrim një fitore edhe në këtë takim. Ky është objektivi që kemi për këtë përballje”.
Kupa
Fitorja ndaj Kamzës ka rritur optimizmin dhe besimin e shkodranëve se mund të pretendojnë për të shkuar sa më larg në Kupë. Kalimi i Kamzës sipas tij është i mundshëm pasi rezultati i takimit të parë ia lejon një gjë të tillë. “është heret që të flitet që Kupa të jetë një objektiv. Asnjë nuk është e pamundur, por gjërat duhen marrë me radhë. Të kalojmë Kamzën është e para. Kjo mund të them se është e arritshme. Pastaj me të parë dhe me të bërë. Nëse kalojmë Kamzën atëherë duhet të shikojmë kundërshtarin e radhës. Por për këtë ka kohë”.