Mesfushori i Luftëtarit, Behar Ramadani, është një ndër lojtarët kyç të ekipit të tij.

Shkodrani është titullar absolut te skuadra gjirokastrite dhe një nga liderët e ekipit.

Fitorja kundër Vllaznisë ishte mjaft e rëndësishme për 28-vjeçarin, pasi bëri që skuadra e tij të arrinte në vendin e tretë duke pritur ndeshjen e Partizanit dhe të hidhte një hap të fortë për Kupat e Europës.

Shkodrani luante njëkohësisht dhe kundër ekipit të qytetit të tij dhe emocionet ishin më të mëdha. Kjo humbje mund t’i kushtojë Vllaznisë dhe rrëzimin nga Superiorja.

Në një intervistë për Eduasportin.com, mesfushori rrëfen emocionet e tij dhe momentin që po kalon te skuadra e Luftëtarit.

Nëse do të ishit që në fillim me trajnerin Hasan Lika dhe nuk do ta nisnit sezonin me uruguaianët, ku mendoni se do të ishit sot me pikë dhe në tabelën e renditjes?

– Se në çfarë pozicion do ishim nuk mund ta them me siguri sepse fillimi ishte shumë i vështirë. Përgatitjet i filluam me vonesë dhe kishim mangësi thuajse në çdo repart.

Prf. Kurbelo u mundua të merrte maksimumin nga grupi që kishte, ndërsa prf. Lika solli një frymë tjetër në ekip dhe kemi ecur mirë bashkë si në rezultate dhe në lojë.

A ishte e vështirë për ju të luanit kundër Vllaznisë, pasi me këtë humbje skuadra kuqeblu mund të bjerë nga Superiorja?

– Sa herë luaj kundër ekipit të qytetit tim kam emocione më të mëdha se në ndeshjet e tjera.

Jam profesionist dhe jap gjithmonë maksimumin për skuadrën e Luftëtarit, në të njëjtën kohë shpresoj se fitorja e Luftëtarit kundër Vllaznisë të mos jetë vendimtare për sezonin e ekipit të qytetit tim.

Mendoni se do e mbani deri në fund vendin e tretë?

– Besoj se do t’ia dalim për ta mbajtur deri në fund vendin e tretë. Kemi ekipin e duhur dhe kemi mjaft cilësi.

Kush mendoni se është çelësi i suksesit të ekipit tuaj? Vjet u tha se ishte Milinkovici, por me Likën jeni akoma më mirë…

– Mendoj se kemi një grup shumë të mirë dhe të talentuar lojtarësh. Harmonia që kemi si grup dhe dëshira për të ecur përpara na ndihmojnë që të kemi rezultate të mira.

Kemi djem dhe lojtarë të mrekullueshëm që duan të ecin përpara. Meritë kanë dhe të gjithë trajnerët që na kanë ndihmuar deri tani.

– Në verë mund të jetë Europa League, por është dhe merkato e verës. A mund të kemi një lëvizje të mundshme nga ekipi i Luftëtarit?

– Të kapim Evropën, pastaj të flasim për gjërat e tjera. Janë drejtuesit ata që vendosin për lëvizjet e tjera.

–  A është e vërtetë që keni patur kontakte me Kukësin në janar?

– Me Kukësin, por jo vetëm me verilindorët.

– A do të bjerë Vllaznia nga Kategoria?

Do të jetë një garë shumë e fortë mes Vllaznisë, Kamzës dhe Teutës. Shpresoj të mos jetë Vllaznia ekipi që do të bjerë. /EDS