Gabimi i bërë në shkaktimin e 11-metërshit (rast shumë i diskutueshëm) i ka kushtuar shumë Vllaznisë në ndeshjen e parë ndaj ekipit danez Fortuna Hjorring. Një gabim i ardhur nga këmbët e njërës prej lojtareve më me përvojë të ekipit, njëkohësisht kapitenes së tij, Esmeralda Franja.
Kur ka kaluar një javë nga ajo ndeshje, mesfushorja e ekipit shkodran duket se ende e vuan këtë gjë dhe atë e shpreh edhe në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” kur deklaron:
“Unë mendoj se ai moment e zgjidhi të gjithë ndeshjen. Atyre u mjaftonte një gol dhe mendoj se ishte një moment shumë i keq për mua dhe për ekipin ai moment që ndodhi. Unë personalisht jam duke e vuajtur shumë atë gabim që bëra i cili na humbi edhe ndeshjen, megjithatë pjestaret e tjera të ekipit, trajnerët dhe drejtuesit më kanë mbështetur dhe kjo më ka bërë të ndihem më mirë disi tashmë”.
Ndërkohë e pyetur në lidhje me takimin e kthimit në Danimarkë dhe shanset e Vllaznisë për kualifikim, Franja shprehet: Nëse të gjitha vajzat besojnë në vete dhe mos ta mbivlerësojmë ekipin përballë por të japim vlerat që ka, të mos ta mbivlerësojmë besoj se do ia dalim. Shpresoj shumë që ne ndeshjen e kthimit të jemi më ndryshe dhe të çliruara nga emocionet”.
Ndeshja Fortuna- Vllaznia do të luhet të mërkurën më datë 25 shtator ora 18.00 në stadiumin e qytetit të Hjorringut në Danimarkë.
© shkodrasport.com