Aksionet e Vllaznisë tashmë kanë dalë në ankand. Alban Xhaferi është biznesmeni i njohur që po investon te kuqeblutë. Megjithatë ende nuk dihet nëse shkodrani do të marrë “De Juro” klubin e Vllaznisë. Krahas tij në garë është edhe Valter Fushaj.

Për këtë ka folur, Blendi Dibra, juristi dhe krahu i djathtë i Xhaferit. I ftuar në emisionin “Sport Arena”, ai u shpreh se fillimisht duhen shqyrtuar kriteret dhe më pas do të vendoset përfundimisht.

“Duhen parë kriteret. Natyrisht që dëshira ekziston, por ky nuk është një proces i lehtë, pasi janë disa çështje që duhen zgjidhur. Këtu mund të përmend problemet e borxheve, të cilat faktikisht në relacion nuk është cilësuar qartësisht nëse klubi do të shitet bashkë me borxhet. Pra, mund të jetë një pikë e negociueshme kjo pjesë.

Kemi borxhe afat-shkurtra dhe borxhe afat-gjata. Për shembull, kemi lojtarë që nëse nuk u paguan pagat mund të shkosh në gjyqe, bllokohesh në merkato dhe krijohet një kaos. Realisht procesi kërkon një lloj monitorimi dhe nga ana e bashkisë”, ka deklaruar ai.

Pritet të shihet se cili do të jetë përfundimi, nëse Xhaferi do të marrë drejtimin e një klubi me shumë borxhe apo të vijojë të qëndrojë pranë tij si sponsor./newsport/