Ardian Kokomani reagon pas akuzave të Astrit Hoxhës. Ish-drejtori i Sporteve në Bashkinë Shijak deklaroi një ditë më herët në “Panorama Sport” se dha dorëheqjen, pasi kryebashikaku i kërkonte të federonte 16-vjeçarë për qëllime elektorale.
Por, numri një i këtij institucioni jo vetëm që i mohon akuzat, por thekson se Hoxha është shkarkuar dhe jo dorëhequr. Gjatë bisedës me gazetën, ai zbulon edhe shkaqet që e çuan në këtë vendim.
“Tani e pashë gazetën. Sapo ma sollën drejtuesit e sportit. Nuk jam aspak dakord dhe është çudi e madhe kur lexoj që ai (i referohet Astrit Hoxhës) thotë ‘dhashë dorëheqjen’, kur isha unë që e shkarkova. E mora këtë vendim, pasi ka bërë shkelje të rëndë të etikës në marrëdhënie me pozicionin dhe është bërë shpeshherë problem për ekipin dhe opinion.
Kryetari i Bashkisë nuk ka lidhje fare me federimet. Unë vërtet kam funksionin e presidentit, por sportin e kanë drejtuar këta. Për shkak të sjelljes jo të hijshme të këtij drejtori, kam marrë shumë gjoba dhe dënime nga FSHFja. Është zënë dhe sharë me arbitrat në një nga ndeshjet që kemi pasur në Shijak dhe tani detyrohemi të luajmë 4 ndeshje jashtë fushe dhe 40 kilometra larg qytetit.
Nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë një gjë të tillë dhe kjo vjen si shkak e sjelljes së një drejtori të papërgjegjshëm. Gjithsesi, ai le të flasë dhe shkruajë gjithë ditën e gjithë natën”, tha fillimisht numri një i Bashkisë Shijak.
AKUZAT
Kur pyetet më konkretisht, nëse ka kërkuar të federojë 16- vjeçarë për përfitime elektorale, Kokomani përgjigjet: “Nuk merret kryetari i bashkisë me këto gjëra. Unë në ekip nuk njoh 30-vjeçarë dhe jo më 16- vjeçarë. Vërtet jam president, por si kryetar bashkie kam 1000 probleme të tjera. Sportin ua kam dorëzuar atyre.
Megjithatë, di se një lojtar që kemi aktualisht, ndër më të vjetrit, me mbiemër Kllari në mos gaboj, na u largua për një vit nga ekipi. Nuk donte të luante, sepse drejtori sportiv e përzuri në mënyrë jo të rregullt. Dhe kjo ngjau për shkak të divergjencave dhe inateve që drejtori ynë na kishte me të parët e fisit të lojtarit. Tani që mori vesh se e hoqëm drejtorin, futbollisti u vetofrua për të dhënë kontributin e tij”.
PRESIONI
Kryebashkiku rrëfen se ishte në dijeni që Astit Hoxha do të akuzonte, pasi e kishte paralajmëruar në momentin që e shkarkoi. “Nuk dua të them më shumë rreth gjërave që ai ka bërë në 1 vit si drejtor. Por, nëse do të vazhdojë të flasë, unë do t’ia përmend të gjitha. Unë jam gati që të jap edhe një kopje të shkresës për të kuptuar shkakun e shkarkimit. Aty kam përmendur pak, pasi ka shumë më shumë. Por çfarë rëndësie ka? Ju fare mirë mund të shkoni në ekip dhe të shihni kush është ky 16-vjeçar që ka ardhur.
Dhe nëse e gjeni, pyeteni: ‘Kush të solli?’ Por, vështirë se do gjendet. Sigurisht që presidenti edhe mund të sjellë futbollistë. Në ekip ka 30 veta, disa i vendos edhe në provë trajneri. Vijnë dhe ikin, këtë punë ka futbolli. Ne ku t’i gjejmë 16-vjeçarët apo 18 e 20- vjeçarët që të vijnë të rriten tek Erzeni.
Unë mund të kritikohem nëse marr një 35-vjeçar, por jo një 16-vjeçar. Në fakt, ai ma tha qëkur i komunikova shkarkimin, ‘unë do të shkruaj nëpër gazeta, pasi kështu di të bëj unë’. Dhe mund të thotë ç’të dojë, rëndësishëm është që realiteti krejt është i ndryshëm”, përfundoi Kokomani.