Nga Egnatia në kampionat, te sfida e sotme me rrogozhinasit, çerekfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë që i gjen ballshiotët me skuadër të plotë. Sfida e Kupës me Egnatian e cila zhvillohet në orën 13:30 në “Adush Muçaj”, ka bërë që ballshiotët të “shtrëngojnë dhëmbët” e pas dy disfatave në kampionat, synohet rikthimi te fitorja. Me afrimet dhe merkaton e janarit, Bylisi tashmë e fut veten në ato ekipe që kanë investuar shumë për të qenë dinjitozë, në kampionat, por edhe Kupën e Shqipërisë.
Stafi me në krye Nevil Deden kanë kërkuar që të mbajnë të karikuar lojtarët e tyre, ndërsa këta të fundit kanë besim dhe shprehen me optimizëm për ndeshjen kundër Egnatias që vjen pas 6 sukseseve radhazi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur një nga lojtarët që po spikat te Bylisi këtë sezon, Aurel Marku që rikthehet si titullar pas pezullimit dy javë më parë dhe mendon se të tijtë do t’ia dalin ndaj kryesuesve të elitës.
“Egnatia, dihet që është një kundërshtar shumë i fortë dhe me kualitet, por në sfidën e kampionatit u pa qartë se nëse do të kishim pasur më shumë fat do dilnim me pikë. Mendoj se kemi bërë përmirësime sepse tashmë e njohim edhe më mirë kundërshtarin, pasi luajtëm vetëm pak ditë më parë dhe unë kam besim se sot do të jemi shumë më ndryshe, një ekip kompakt, por edhe një grup ku do të hyjmë në fushë me dëshirë dhe me angazhimin maksimal për të marrë fitoren.
Kupa ka specifikë ndryshe nga kampionati dhe neve duhet që të obligohemi maksimalisht, pasi luajmë në shtëpinë tonë por edhe për faktin se vijmë nga dy humbje dhe duhet që të bëjmë kthesën. Luajmë në sytë e tifozëve tanë dhe në një duel si ky ndaj rrogozhinasve, ne kemi mundësi që të shprehemi edhe më mirë. Kupa është një objektiv i klubit dhe duam që ta kalojmë edhe këtë tur pavarësisht se vështirësia është më e madhe se ndeshjet dhe turet e shkuara”, tha Aurel Marku fillimisht.
SYNIMET- Marku luan sezonin e tij të dytë në Ballsh dhe tashmë është edhe më i ambientuar edhe për faktin se është titullar por po shënon edhe gola.
“Dua që të bëj një sezon shumë të mirë sepse kam marrë besim vazhdimisht nga presidenca dhe stafi. Superiorja është ndryshe nga Kategoria e Parë, por mua më ka ecur. Mundësitë e mia janë për më shumë, personalisht dua që të lë gjurmë dhe të bëj mirë sepse gara është në momentin e saj më delikat edhe për vetë objektivat që kemi në kampionat. Por, duke shkuar në lartësinë e formës dhe duke dhënë më të mirën për Bylisin, unë jam i bindur se do të bëjmë më të mirën tonë. Kam edhe një bast me veten, dua që të luaj edhe me Shpresat U-21 sepse i kam provuar të gjitha ekipet kombëtare të moshave”, tha Aurel Marku, një nga titullarët e Bylisit.