Mbrojtësi i djathtë i Burrelit, 26-vjeçari Patrik Fetaj është rikthyer te goli. Lezhjani realizoi golin e dytë në ndeshjen përballë Kukësit në transfertë, pas një gjuajtje të fortë në hyrje të zonës së 16 metrave, të skuadrës kuksiane, duke dëshmuar se përveç rolit mbrojtës që e kryen më së miri, di edhe të shënojë në portën kundërshtare.
Fetaj po jep për të dytin sezon radhazi kontributin e tij te Burreli, madje dhe duke shënuar gol që nuk është i vetmi për të. Ai është konsoliduar prej kohësh si pjesë e formacionit bazë, falë cilësive të spikatura tekniko-taktike që ka si mbrojtës, por edhe në nisjen e shumë aksioneve nga krahu i djathtë ku ai luan për në drejtim të ofensivës matjane. E gjithë kjo, pa harruar detyrën kryesore që ka në repartin difensiv.
Në një prononcim për median e shkruar Fetaj ndër të tjera thotë se do të bëjë çdo herë maksimumin për matjanët. “Në Burrel tashmë ndihem si në shtëpinë time. Kjo, falë kushteve dhe atmosferës që na është krijuar nga drejtuesit e klubit dhe stafi teknik me në krye trajnerin Bicaj. Natyrisht shënimi i golit më gëzon, pasi për çdo futbollist ashtu edhe për mua është moment gëzimi dhe sadisfaksioni.
Përveç kësaj më gëzojnë rezultatet që ka arritur deri tani ekipi i Burrelit, duke u renditur në vendin e katërt, brenda të cilave është edhe kontributi im modest”, tha ai. Ndërsa në lidhje me ecurinë e mëtejshme të skuadrës së Burrelit, Fetaj thotë fjalën e tij. “Renditja në vendin e katërt është fryt i punës dhe djersës së këtyre dy fazave, por kjo nuk do të thotë, që ne të vetëkënaqemi, përkundrazi na obligon për të qenë me këmbë në tokë dhe më kërkues te vetja, sidomos në ndeshjet brenda që për hir të së vërtetës kemi çeduar paksa.
Kemi lënë pikë në Burrel, por i kemi rikuperuar në transferta. Faza e tretë e kampionatit do të jetë një fazë më e luftuar për të gjitha skuadrat, natyrisht edhe e jona për të ruajtur vendin ku jemi. Pse jo për të synuar edhe më lart, pasi vendi i tretë nuk është i pamundur”, përfundon prononcimin e tij, mbrojtësi Patrik Fetaj.