Shkodrani Gabriel Rroku, i ardhur te Burreli në merkaton e dimrit, ka arritur të ambientohet shpejt me matjanët.  20-vjeçari është produkt i akademisë Vllaznia, ku është trajnuar nga emra të njohur, si: Luan Zmijani, Vioresin Sinani, Edmond Doçi.

Besimin për të qenë titullar në ndeshjen me Korabin, e konsideron si një motiv për t’u rritur, gjë të cilën ai e shpalosi në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”.


Gabriel, si ndiheni te Burreli dhe a jeni përshtatur me grupin?
Jam shumë i kënaqur, pasi në Burrel të gjithë më kanë pritur shumë mirë. Ndihem si në shtëpinë time dhe kam filluar. Besoj se jam përshtatur mirë dhe në akord me frymën e grupit.

Kundër Korabit zhvilluat ndeshjen e parë zyrtare me Burrelin, si u ndiet? Ishte ndeshja ime e parë me fanellën e Burrelit dhe ndihem i lumtur. Besimi që më dha profesor Bicaj, do të shërbejë si shtysë për mua që të punoj me shumë në ditët në vazhdim. Mendoj që deri diku e kam përmbushur besimin e tij, paçka se ka vend për përmirësim.


Vini nga akademia e Vllaznisë, a mendoni se ka ndikim ky fakt?
Mendoj se ndikon pozitivisht. Të qenurit pjesë e kësaj akademie, është një plus i madh për mua dhe për çdo futbollist. Nga ajo akademi kanë dalë një pjesë e madhe e futbollistëve shqiptar. Jam rritur dhe formuar te Vllaznia, duke filluar nga U-13 e deri tek U-21, por edhe me ekipet U-19 dhe U-21 kam qenë kapiten skuadre.


Cili është pozicioni juaj natyral dhe a përshtateni në role të tjera? Pozicioni im natyral është qendërmbrojtës, por  mund të luaj në gjithë repartin e mbrojtjes.


Si e parashikoni ndeshjen e Burrelit në transfertë kundër Apolonisë?
Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi të dyja ekipet kanë objektivat e veta. Ne duam të ngjitemi me lart dhe Apolonia të kapë gjashtëshen. Mendoj se do të luhet futboll i bukur, por me besimin te forca dhe kompaktësia e grupit do marrim rezultat pozitiv.