Valdo Zeqaj është një nga lojtarë që po spikat me Vllazninë. Ka provuar që të luajë në Superiore dhe në Kategorinë e Parë me disa ekipe si: Flamurtari, Sopoti, Apolonia, Luftëtari, besa e Vllaznia, pjesë e së cilës u bë verën e shkuar kur ishte kontigjent i gjirokastritëve. Madje, te shkodranët e ka gjetur veten duke spikatur si titullar në mbrojtje.
Në ndeshjen e së shtunës me Korabin në Peshkopi, Zeqaj shënoi gol, madje duke i dhënë 3 pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij. Në një intervistë për “Vipsport.al”, Zeqaj flet për atmosferën në Shkodër dhe rrugën drejt rikthimit në Superiore…
-Zeqaj, një eksperiencë e re te Vllaznia, le Superioren për të kontribuar në rikthimin e shkodranëve në elitë…
Është e vërtetë, në fakt unë kam luajtur edhe më parë në Superiore. Jam në kulmin e karrierës dhe duke qenë se kisha punuar me trajnerin Lika në Gjirokastër mendova që të shkojë te Vllaznia. Pastaj dihet se kush janë shkodranët në futbollin shqiptar. Kam bërë zgjedhjen e duhur…
-Rrallë futbollistë lëvizin nga Superiorja në të Parën. Nga Luftëtari te Vllaznia, pse kjo zgjedhje?!
E thash ja vlen që të luash për Vllazninë kudo që të jetë. Shkodra është djepi i futbollit shqiptar, kam ardhur me synimin që të luaj dhe të jap kontributin tim maksimal që skuadra të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar. Momentalisht asnjë nuk e do Vllazninë në këtë kategori por ne po punojmë të gjithë që ta rikthejmë aty ku e ka vendin.
–Megjithatë, Kategoria e Parë ka vështirësi të mëdha…
Me të vërtetë ka shumë vështirësi. Vllaznia ka në gjirin e vet shumë lojtarë që luajnë taktikisht, ndërsa ka disa fusha apo skuadra që nuk të lënë të luash. Unë e njoh këtë kategori sepse kam luajtur edhe më parë. Megjithatë, fakti që ne jemi në krye me meritë tregon se kemi punuar mirë.
-Ndeshjen e fundit ndaj Korabit fitorja erdhi nga ju edhe pse jeni mbrojtës…Keni shënuar më parë?!
Në fakt ky është goli im i parë në Shqipëri. Kam luajtur edhe në Kosovë dhe kam shënuar edhe aty 1 gol. Megjithatë, jam i lumtur që fituam një ndeshje shumë të fortë sepse Korabi është nga skuadrat që na ka hapur shumë punë.
-Si e shikoni rrugën drejt elitës?!
Është shpejt që të bësh llogari, jemi në rrugë të mbarë por duhet që ta sigurojmë ngjitjen matematikisht shumë shpejt. Prandaj duhet që të fitojmë të paktën të gjitha ndeshjet e pjesës së parë të fazës së tretë. Ndoshta aty do të bëjmë llogaritë, pasi formula e garës sit ë thuash ka rifutur në lojë edhe ekipet e tjera.
-Si është atmosfera në Shkodër?!
Në fakt, ndonëse skuadra është drejt ngjitjes dhe rikthimit në elitë, ende nuk e besojnë se luajnë në Kategorinë e parë. Por, është një qytet me shumë kulture dhe jeton me futbollin. Në këtë aspekt jam shumë komod./vipsport/