Jurgen Dushkaj është një nga futbollistët e ardhur te Burreli gjatë merkatos së verës. Për “Panorama Sport” mesfushori lezhjan ka komentuar fitoren e matjanëve ndaj Lushnjës, si dhe duelin e radhës me Besën.
“Zbatimi i detyrave taktike dhe besimi te vetja ishin pikat ku u mbështet loja e skuadrës sonë. Ishte një fitore e rëndësishme, që shërben moralisht për të përballuar me dinjitet ndeshjet në vazhdim.
Skuadra i ka bërë një start të mirë kampionatit, edhe pse mundësitë ishin që të kishim rezultate më të mira. Ndryshe nga viti i kaluar, Burreli ka ndryshuar shumë, ku rreth 70-80 % janë futbollistë të ardhur rishtas në skuadër. Grupi premton një ecuri më pozitive.
Fitorja në Vlorë apo barazimi në Peshkopi, janë argumente bindëse që skuadra po jep prova për të kaluar me sukses edhe skuadra pretendente. Besa? “Ndeshja me Besën do të jetë e vështirë. Vetë ecuria e skuadrës kavajase dhe pozicionimi në renditje, tregon forcën e kavajasve.
Ne do të bëjmë detyrën tonë, të përfaqësohemi denjësisht dhe të arrijmë rezultatin pozitiv”, u shpreh Dushkaj. Pas Besës, që me marrëveshje do të luhet në Burrel, skuadrën matjane e pret transferta me Apoloninë në “Loni Papuçiu”.