U duk se ndeshja Veleçiku- Shkumbini po shkonte drejt gjuajtjes së 11-metërshave për të përcaktuar skuadrën që do të qëndronte në kategorinë e parë por 9 minuta para fundit të shtesës së dytë, do të vinte goli i mrekullueshëm i tij.

Ersi Lami ka shënuar golin e sezonit për koplikasit. Mesfushori shtatëlartë që ka një pamje shumë të veçantë, ka rezultuar i tillë edhe në fushën e lojës.

Ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 111-të dhe dy minuta më vonë ka marrë edhe karton të kuq duke e lënë Veleçikun me një futbollist më pak. Megjithatë kjo nuk prishi punë e për rrjedhojë skuadra e drejtuar nga trajneri Duli në fund iu gëzua fitores.

Vetë Lami ka folur në lidhje me këtë ndeshje në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” teksa ka shpjeguar edhe emocionet që ka përjetuar.

– Ersi, kur pat që topi i gjuajtur nga ana juaj përfundoi në rrjetë, besoj se përjetuar emocione të mëdha?

-Padyshim që emocionet në ato momente ishin të papërshkrueshme. Ishte ndeshja më deçisive e kampionatit dhe për më tepër vinte pas një momenti jo të mirë që po kalonim dy javët e fundit. Për këtë arsye, ai goli më ka bërë të ndihem mjaft mirë.

– Por dy minuta më vonë e latë Veleçikun me një futbollist më pak për shkak të kartonit të kuq që morët. A kishit frikë se ky largim i juaji mund të ndikonte për keq tek skuadra?

– E vërtetë që pata frikë, por nuk mendoj se e meritova atë largim nga fusha. Ishte një vendim i arbitrit, megjithatë kisha besim të plotë tek ekipi sepse e kanë treguar këtë gjë edhe për gjatë gjithë sezonit se mund të fitojnë ndaj çdo kundërshtari.

– A mendoni se Veleçiku nuk duhej të shkonte deri këtu sa për të diskutuar në play-out ngaqë ka zhvilluar një kampionat të mirë?

– Jam shumë dakord me ju, por të tilla janë politikat e futbollit në Shqipëri.

– Si e shikon të ardhmen për sezonin e ardhshëm?

– Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Do shijoj pushimet njëherë dhe pastaj të shohim.

– Dëshira juaj është për të vazhduar tek Veleçiku apo do shohësh edhe mundësitë e tjera?

– Me shumë mundësi ky ishte sezoni i fundit tek Veleçiku, por për më shumë të shohim në ditët në vijim.
© shkodrasport.com