Ky fund sezoni padyshim që do të mbetet gjatë me shumë mundësi në mendjen e 18 vjeçarit Kristi Qarri. Debutoi me ekipin e parë të Vllaznisë, ka marrë ftesën për të qenë pjesë e Kombëtares U20 në miqësoren ndaj Katarit dhe po ashtu, brenda pak ditësh mund të fitojë edhe dy trofe të tjera me ekipin Vllaznia U19.
Portieri me shumë të ardhme që ka si model atë të Atletiko Madrid Jan Oblak, duket shumë i përkushtuar për ta vazhduar rrugën që ka nisur sepse e ka të qartë se tani fillojnë vështirësitë e mëdha dhe duhet punuar shumë për të rritur performancën e tij.
Qarri ka pranuar me kënaqësi të flasë për “Shkodra Sport” për atë çfarë ka arritur deri tani, emocionet e debutimit me fanellën kuqeblu dhe shumë gjëra të tjera.
-Si i përjetuar dy ndeshjet e para në formacion me ekipin e parë të Vllaznisë?
-Ndeshjat e apra ishin me të vërtetë shumë emocionuese sepse kam punuar çdo ditë që të realizoj ëndrrën time për të luajtur me ekipin e parë të Vllaznisë dhe kjo ishte një përgjegjësi shumë e madhe për mua. Përfaqësoja një qytet me tradita sportive dhe me një tifozëri shumë të zjarrtë.
Dua të falenderoj edhe trajnerin Agim Canaj pasi t’i besosh një të riu portën nuk ështe e lehtë por ai më dha mundësinë të luaj e të debutoj me fanellën e Vllaznisë dhe padyshim që ky trajner do të ketë një vend të veçantë tek unë gjithmonë.
– Ndërkohë jeni grumbulluar me Kombëtaren U20 edhe për miqësoren ndaj Katarit. Një kënaqësi më shumë?
– Me të vërtetë është kënaqësi por edhe përgjegjësi shumë e madhe pasi dihet që në fushë përfaqësohet Shqipëria dhe prandaj do të jem i gatshëm 100 % për këtë ndeshje.
– Me Vllaznia U19 kampion edhe këtë sezon?
– Tek Vllaznia U19 pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, synimi do të jetë shpallja “Kampion i Veriut” fillimisht dhe më pas edhe Kampion i Shqipërisë. Kemi një grup me të vërtetë të talentuar dhe me punën e palodhshme të dy trajnerëve Luan Zmijani e Gjon Kola, do të japim maksimumin tonë për fitimin e këtyre dy trofeve të mbetura të këtij sezoni.
– A keni ndonjë model portieri që mundoheni të ndiqni?
– Gjithmonë kur shikoj ndeshje, lojtari kryesor që ndjek është padyshim portieri. Të preferuar kam portierin Jan Oblak, i cili ka edhe të njëjtën gjatësi me mua dhe mendoj se është një portier i kompletuar. Por për të arritur këto nivele, duhet shumë punë por besoj se me dy trajnerët e mi, Paulin Ndoja dhe Ideal Lekiqi do të bëj maksimumin për të patur një karrierë të suksesshme edhe në të ardhmen.
– Objektivi juaj për të ardhmen?
– Për momentin jam i fokusuar tek fitimi i dy trofeve të këtij fund-sezoni me Vllaznia U19 dhe më pas të luaj me Vllazninë në Superligën shqiptare.
– E fundit, kujt ia dedikoni këtë çfarë keni arritur deri tani në karrierën tëndë?
– Mbështetjen më të madhe e kam nga familja dhe veçantërisht babai i cili nuk është ndalur kurrë së më mbështeturi, por mbi të gjitha ai është edhe njeriu që më kritikon dhe gjithmonë më këshillon përpara dhe pas çdo ndeshje. Pastaj në gjithë këto vite kam punuar me shumë trajnerë dhe të gjithë e kanë një dorë në formimin tim, por trajneri Paulin Ndoja dhe Ideal Lekiqi më kanë mësuar shumë gjëra dhe më kanë dhënë shumë këshilla të vlefshme.
Nuk mund të lë pa përmendur trajnerin Luan Zmijani që më ka ndihmuar në shumë aspekte të ndryshme si disiplina dhe përpikmëri ku pa këto dy gjëra, nuk mund të jesh një lojtar profesionist. Po ashtu edhe shokët e ekipit U19 me të cilët tani jemi si vëllezër sepse kemi që në moshë të vogël që luajmë sëbashku.
– Kristi, faleminderit për intervistën…
– Faleminderit gazetës “Shkodra Sport” që më ka përkrahur dhe mbështetur vazhdimisht.
© shkodrasport.com