Vetë drejton në mënyrë shumë të suksesshme ekipin e futbollit të femrave të Vllaznisë por festa për titullin e fundit kampion është shtyrë prej tij.
Arsyeja është e thjeshtë: Në situatën ku ndodhet Vllaznia e meshkujve, nuk ja vlen të festohet.
E kemi fjalën për Lazer Matinë, presidentin e kampiones shqiptare në futbollin e femrave.
Ai është shumë pranë edhe drejtuesve të klubit dhe jeton me shqetësimin e tyre.
Duke folur për “Shkodra Sport”, Matija do të ndalej gjatë tek sfida Partizani- Kamza ku janë të përqendruar sytë e të gjithë shkodranëve.
“Nuk është historia e Partizanit kjo e dy viteve të fundit.
Ajo fillon në vitin 1946 dhe që në momentin e krijimit të kësaj skuadre, ajo nuk ma merr mendja se ka patur ndonjë vit që nuk ka patur shkodranë në rradhët e saj.
Duke filluar nga Loro Boriçi e me rradhë shumë e shumë emra të tjerë dhe për të përfunduar tek i riu Hysenaj që është sot pjesë e saj.
Në qoftë se tek Partizani ka hatërmbetje se në këto dy-tre vitet e fundit Vllaznia i ka hequr titullin kampion, e kanë gabim.
Pikërisht ato pikë që Vllaznia ka marrë ndaj tij, e kanë mbajtur në Superligë.
Ajo ka qenë çdo vit e rrezikur dhe ajo pikë që i mori edhe vjet Partizanit, e shpëtoi atë. Ka edhe hipoteza politike se Vllaznia është e djathtë dhe Partizani është i majtë ngaqë aty drejton edhe vëllai i kryeministrit.
Mua më vjen mirë që është kështu. Edhe po ta shohim politikisht, Vllaznia s’duhet të bjerë prej politikes.
Në historinë 27 vjeçare të demokracisë, nuk ma merr mendja se ka qenë ndonjëherë Qeveria më e fortë sesa sot me shkodranë.
Kemi zëvendëskryeministren nga ky qytet dhe një nga ministrat më të pushtetshëm, atë të jashtmin, nga Shkodra.
Por nëse mendohet se Partia Socialiste do të fitojë elektorat duke ra Vllaznia nga kategoria, gabojnë sepse ju garantoj se nuk do të humbin elektorat.
Sepse sot ka shku topi në dorë të Partizanit, ai e ka në dorë Vllazninë. Nëse luan pastër, jam i bindur se nuk fiton Kamza sepse dihen kualitetet, dihen cilësitë.
Drejtuesit e Partizanit janë njerëz me integritet dhe do ta peshojnë mirë këtë gjë edhe në interesin e vet.
Sepse nuk ma do mendja se kanë dëshirë të shkojnë të luajnë edhe sezonin e ardhshëm në Kamëz me skafandra, me dhunën që ushtrohet në tribuna nga presidenca e Kamzës.
Nëse Partizani vendos me hedh Vllazninë prej kategorisë, nuk jam aspak i mërzitur.
Do mërzitesha nëse do ta hidhte një ekip i dorës së dytë. Shkodra, Tirana, Vlora kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar dhe nuk luftohet historia duke hedhë mitet poshtë.
Vërtetë ne kemi hedhur vjet Tiranën nga Superliga por nuk ka asnjë tiranas që akuzon Vllazninë sepse ajo luftoi për vete.
Nëse do kishte qenë në rrethana të tjera, të jeni të bindur se Vllaznia nuk do ta kishte hedhur atë nga kategoria, pavarësisht problemeve që kanë patur dy tifozëritë.
Kësisoj edhe Partizani nuk besoj se do ta bëjë këtë gabim”- ka deklaruar Lazer Matija.
© shkodrasport.com