Pas suksesit në kampionatin e 16 vjeçarëve, Vllaznisë në atletikë do të synojë të shpallet kampione edhe në garat e 18 vjeçarëve që do të zhvillohen nesër në Elbasan. Në kampion shkodran janë të bindur për këtë gjë. Njëri nga trajnerët e këtij ekipi, pikërisht i mirënjohuri Vildan Tufi, në një prononcim për “Shkodra Sport” fillimisht ndalet tek rezultatet në kampionatin e paratërinjve për të cilat thotë:
“Vllaznia edhe vitin e kaluar ka qenë kampione absolute që me paratërinjtë, të rinjtë si dhe me të rriturit. Ndërkohë rezultatet e këtij viti duken edhe më të mira. Në kampionatin e 16 vjeçarëve që u zhvillua para pak ditësh në Elbasan, ndonëse në kushte atmosferike aspak të mira sepse garat u zhvilluan me shi dhe erë, sërish nuk munguan rezultatet e mira, sepse ato ishin në progres me një vit më parë.
Po ndalem tek vajzat e reja që janë një e ardhme e shpejtë në ekipin e të rriturve, të cilat dhanë rezultate mjaft premtuese. Po ndalem vetëm tek disiplina e kërcimit së gjati, ku atletet e Vllaznisë dominuan në të gjithë garën duke zënë vendin e parë, të dytë, të katërt, pestë, gjashtë e kështu me rradhë.
Vlen të theksohen rezultatet shumë të mira të atletes me shumë perspektivë Erisa Rrasa. Ajo jo vetëm zuri vendin e parë, por arriti edhe kategorinë e parë sportive dhe këtu nuk e kam fjalën për moshën e saj por për atë të të rriturave. Dhe të mos harrojmë se është vetëm 15 vjeçe.
Kërcimi i saj me 5.35 metra që është një rezultat shumë i mirë. Madje, nëse e krahasoj me rezultatin e të famshmes Vera Bregu po në këtë moshë, Erisa i ka më të mira rezultatet. Nëse vazhdon me këtë ecuri, ju siguroj se Shkodra do të ketë përsëri një yll të bukur të kërcimeve.
Paraqitje të mirë në këto gara bëri edhe shoqja e saj- Sara e po ashtu edhe Elda Tula. Kjo e fundit në kërcim së larti zuri vendin e parë me 16 vjeçaret, ndonëse vetë ajo është 12 vjeçe e gjysëm”.
Ky është diskutimi për garat e kaluara, por me profesor Tufin padyshim që ndalemi edhe tek garat e nesërme ku duket se pritshmëritë i ka të mëdha sidomos për sportisten Erisa Rrasa, tek i cili ka fokusuar edhe vëmendjen më të madhe.
“Të mërkurën kemi kampionatin e 18 vjeçarëve ku përsëri atletet e Shkodrës pavarësisht moshës së re do të marrin pjesë edhe në këtë kategori dhe padyshim që pres të tjera rezultate të mira. Besoj se atletja Erisa Rrasa do ta kalojë distancën 5.50 metra në kërcim së gjati, rezultat ky që është shumë premtues jo vetëm për atletikën shqiptare por edhe për atë ballkanike”.- thotë profesor Tufi.
Gjergj KOLA