Një nga pesë sportistët e nderuar nga Këshillit Bashkiak Shkodër me titullin vendor “Mirënjohja e Bashkisë”, ka qenë edhe ish- basketbollisti i Vllaznisë Refik Vorfa. Një nga titullarët e Vllaznisë së viteev ’70-’80 dhe lojtar i ekipit tonë kombëtar, por ajo çka është më e rëndësishmja, Vorfa deri para dy ditësh nuk kishte marrë asnjëherë ndonjë titull kampion apo nderim.
Prandaj dhe vlerësimi i marrë së fundi, e ka lumturuar shumë atë dhe kjo është dukur edhe në fjalët e tij kur është shprehur: “Do ta mbaj mend gjatë këtë moment si një ngjarje shumë të rëndësishme në jetën time. Ky ishte trofeu i parë që marr në karrierën time dhe çka është më e bukura, vjen 30 e sa vjet pasi kam lënë sportin.
Ishte një ngjarje e veçantë në fakt. Unë vërtetë për fat të keq nuk kam dalë asnjëherë kampion në karrierën time, paçka se kemi rivalizuar fort dhe në fakt jemi ndjerë si kampionë sepse këtë kënaqësi na e ka dhënë gjithmonë publiku.
Ceremonia e dy netëve më parë ishte diçka shumë e veçantë për mua sepse u vlerësova nga Bashkia Shkodër, nga Këshilli Bashkiak, me një titull që më kishte munguar.
Si do që të jetë, kur kujtoj ngjarjet e basketbollit kur kemi luajtur, ka patur emocione shumë të mëdha dhe prandaj vlerësimi i fundit ishte një shpërblimi më i mirë i gjithë atyre viteve”.
© shkodrasport.com